Kosova përfundoi me humbje turneun në Turqi

25 nëntor 2019 | 17:25

Hendbollistet e Përfaqësues së Kosovës të hënën e kanë luajtur ndeshjen e fundit në turneun ndërkombëtar të mbajtur në Antalya të Turqisë. Në ndeshjen e fundit, ‘dardanet’ e humben nga Maqedonia Veriore me rezultat 30:27. Humbja erdhi si pasojë e lodhjes dhe lëshimit të koncentrimit.

Vashat e Kosovës e kanë luajtur katër ndeshje të forta brenda tri ditëve. Mbi dhjetë herë të Kosovës kanë goditur shtyllën. Ndonëse angazhimi ishte maksimal, kjo ndoshta ishte ndeshja më e zbehtë në turneun e zhvilluar në Antalya. Kosova ka fituar ndaj Italisë dhe Turqisë B, kurse pësoi nga Turqia A dhe Maqedonia Veriore. Kundër Maqedonisë Veriore prapë me efikasitet shumë të lartë është shquar kapitenia Leonora Demaj që ka shënuar 12 gola. Shtabi teknik i përfaqësues e ka vlerësuar shumë të suksesshëm turneun në Turqi.

Qëllimi që ishte vënë për këtë pjesëmarrje është realizuar në tërësi, ndonëse për nga cilësia e shfaqur, Kosova është dashur të ketë të paktën tri fitore. Gjatë qëndrimit në Antalya janë provuar lojtare të reja, ndërsa motrat Marigona dhe Arlinda Hajdari janë dëshmuar si përforcime të mëdha. Në nivel të lartë është paraqitur edhe Mirjeta Bytyqi, kurse vlera kanë shfaqur edhe lojtaret tjera. Duhet cekur se Kosova në Antalya është paraqitur pa thuajse gjysmën e ekipit. Për shkak të angazhimeve personale kanë munguar Albana Arifi, Dorentina Osmani, Elma Kameri, Ardiana Merditaj, Fitore Aliu, Aurora Shehdadi, Meltem Ylberi e disa lojtare të tjera.

Maqedonia Veriore – Kosova 30:27 (17:13)

Maqedonia Veriore: Cakidova 4, Brizovska, Tasevska, Markovic, Gjorgievska 8, Serafimova, Sedlovska, Nikolov, Jankurovska 6, Stojanovska 6, Micevska, Kiprnanovska, Kaladjievska, Djatevska, Livrinka 2, Sazdovska 4.

Kosova: Ahmetxhekaj, Istrefi, Mehmeti 4, Kursani, A. Hajdari 3, Kelmendi, Rugova 2, Uka, Stagova, Gjikokaj 2, Demaj 12, Lekaj, Kastrati, Bytyqi 3, M. Hajdari 1, Ujkiq.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
26.11.2019 Punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit Prishtinë 1.…