“KOSOVA REPUBLIKË –PRESHEVA TOKË E KOSOVËS”

10 janar 15:57

Me shkas, në 40 vjetorin e burgosjes së grupit ilegal “Bajram Curri” të Preshevës

Demonstratat e vitit 1981 demaskuan përfundimisht politikën kolonialiste të regjimit okupator, lëkundën fuqishëm muret e robërisë së Kosovës por edhe nisën pakthyeshëm zhbërjen e Jugosllavisë titiste, të asaj ligatine e cila në proces të ngadaltë po mbyste identitetin shqiptar.

Sado që shteti okupator u mundua të fshehte zhvillimet në Kosovë, jehona e tyre preku ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve dhe u dëgjua në të gjitha anët e botës…

Shkruan: Shaqir Shaqiri

Ngjarjet e vitit 1981, demonstratat gjithë popullore në Kosovë, jo vetëm që u mbështeten fizikisht me pjesëmarrje e të gjithë shqiptarëve, por ato shtrinë  fuqishëm ndikimin e tyre gjithandej viseve ku jetonin dhe punonin shqiptarët.

Edhe në Preshevë ndodh një shtrirje masive e ndikimit të këtyre ngjarjeve, ku me vëmendje të përqendruar ndiqeshin zhvillimet në Kosovë, demonstratat, studentët, punëtorët, minatorët, bujqit, i madh dhe i vogël, burra dhe gra u rreshtuan krah brohoritjeve “Kosova Republikë”. Po ashtu ndiqeshin me indinjatë dhe nervozë edhe veprimet brutale, të shtypjes së përgjakshme të këtyre demonstratave nga makineria vrastare serbo-jugosllave. Rënia/vrasja e të rinjve duke brohoritur parullën Kosova Republikë, burgosja e tyre, ngritën në këmbë me mijëra e mijëra të rinj tjerë, nga të gjitha anët e viseve shqiptare në ish Jugosllavi.

Profesorët e shkollës së mesme “Skënderbeu” në Preshevë, secili në mënyrën e vetë, e shprehte mllefin e tij. Njëri thoshte “se në këso kushte nuk mund të mësohet, edhe karrigat  e tavolinat duhet ti hedhim për dritare”, tjetri thoshte se “ nuk kanë faj studentët”, një tjetër profesor me vajë ndër buzë thoshte se “rinia po vritet pa faj”, etj, etj. Këtyre thënieve të profesorëve tonë të nderuar, iu bashkëngjiteshin edhe qëndrimet familjare se “serbi nuk ka besë”, “serbi donë me na farue”, “Serbia do me ja ndërrua emrin shkollës “Skënderbeu” në “25 Maj”, “Serbia nuk na jep kurrë të drejta”, “ Serbia na ka vrarë përherë, na ka plaçkitur, na ka përzënë nga vendet tona” etj etj. Të gjitha këto, si dhe përgojimi i emrit të Adem Demaçit dhe të bëmave të tij, duke u gërshetuar edhe me burgosjen e të rinjve preshevarë,  pjesëmarrës të protestave gjithë popullore, ishin indikator që quan drejtë për së drejti edhe në organizimin e të rinjve preshevarë për të refuzuar dhe luftuar pushtetin aktual serbo jugosllav.

Kështu që në muajin Maj të vitit 1981, të rinjtë preshevarë, nxënës të SHM “Skënderbeu”,  më vonë anëtarë të ilegales, u mblodhën tek vendi i quajtur “Rrethi” (vend në mes fshatit Norçë dhe kishës ortodokse) dhe lidhën besë, që të protestojnë ashpër në rast të ndërrimit të emrit të shkollës. Kjo ide u përpunua mirë, u hartua në letër të bardh dhe e njëjta iu dha kryetarëve të paraleleve të të gjitha klasave, ide e cila u shndërrua në një mesazh të fuqishëm e që u bartë në të gjitha paralelet që nga klasa e I deri te klasa e IV e Shkollës së Mesme “Skënderbeu”. Ky aktivitet nuk mbeti pa u zbuluar dhe trajtuar nga udhëheqja e shkollës, pjesa dërmuese e të cilëve nuk ishin vetëm mësimdhënës por ishin edhe anëtar të Komitetit Komunal të LKJ-së. Kjo elitë politike, pa dyshim u vu në shërbim të luftimit të kësaj iniciative duke propaganduar se emri i shkollës nuk do të ndërrohej.

Në fundin e qershorit të vitit 1981, nxënësit e shkollës së mesme ( shiko aktakuzën Kt.br.3/82 dhe Kt.br. 2/82 të datës 10 Mars 1982 të Gjykatës së Qarkut – Vranjë) të ftuar nga Shaqir Shaqiri, mblidhen tek stadiumi i qytetit dhe zhvillojnë takimin e formimit të një grupi ilegal, me qëllim që të punohet dhe të  përgatitet terreni për organizimin e demonstratave në Preshevë në përvjetor të demonstratave të vitit 1981.

Më vonë, me 5 Nëntor 1982, grupi merr emrin e tij, Organizata Shqiptare Preshevare për Shkrimin e Parullave “Bajram Curri”, dhe po ashtu krijoi edhe emblemën identifikuese të tij, e cila përbëhej nga inicialet e emrit të grupit, shqiponja dykrenore dhe 05.IX.1981, datë me të cilën pretendohet të identifikohej grupi.

OSHPSHP “B!C” ka krijuar edhe fondin vetanak, të cilën e përdorte për të blerë material shpenzues, si ngjyrë dhe brusha për shkrimin e parullave, pastaj letra të makinës së shkrimit, hamera (letra të formatit A1) dhe gjësende tjera, të cilat i ka konsideruar se janë të nevojshme për aktivitet. Mjetet financiare për fondin vetanak siguroheshin nga vetë anëtarët, të cilët në çdo takim, të cilat mbaheshin çdo javë, ishin të obliguar të jepnin për fondin shumën e caktuar.

Organizata nuk pati një jetë të gjatë, për shkakun se anëtarët e saj ishin të rinj dhe të papërvojë. Parulla kryesore e saj ishte “Kosova Republikë – Presheva tokë e Kosovës”. Qëllimi i çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare, në këtë rast që Presheva të bëhet pjesë e Republikës së Kosovës, ishte motivi kryesor që këta të rinj i shtynte në veprim. Aksioni i parë i organizuar, shkrimi i parullave, u bë me rastin e festës së Flamurit Kombëtar, më 28 Nëntor 1981. Aksioni i dytë u bë me 08 Janar 1982.

Më 10 Janar 1982, arrestohen dhjetë anëtarët e OSHPSHP “B!C”, ndërsa Burhan Hasani arrestohet pas një muaji, më saktë më 04.02.1982.

Gjykata e Qarkut në Vranjë, shtatë prej tyre i dënon me burg efektiv, dy të tjerëve u shqipton “Masën edukative të përforcuar nga prindërit”, njërit i shqipton “Masën edukative të përforcuar nga organi i kujdestarisë së Kuvendit Komunal Preshevë”, ndërsa një tjetër e dënon me burg për të mitur, dënim i pa afatizuar (prej 1 deri në 5 vite) i cili mbahet në burg ( burg i lirë dhe aftësohet në zanat/zeje) për 4 vite.

Gjithsej, grupi “Bajram  Curri” i përbërë nga nxënësit e Shkollës së Mesme “Skënderbeu” në Preshevë, u dënuan me 32 vite e 6 muaj burg efektiv. Edhe pse aktakuza nuk e specifikon, të miturit dënimin e kanë mbajtur në burgje të rënda dhe tërësisht të izoluar.

Grupi “Bajram Curri” kishte një organizim të pavarur dhe akoma nuk kishte krijuar lidhje me grupet tjera ilegale që vepronin në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Pas vuajtjes së dënimit, djelmoshat u përballën me vështirësitë tjera politike dhe administrative. Shteti dhe pushteti jugosllav nuk ua lejonte vazhdimin e shkollimit, nuk jua mundësonte punësimin, jua pamundësonte vetëpunësimin, jua vështirësonte jetën dhe 6 (gjashtë) prej tyre morën rrugën e mërgimit ndërsa 3 (tre) qëndruan në Preshevë duke mos reshtur përpjekjet për mbijetesë dhe angazhimin e tyre për çlirim e bashkim kombëtar.

Si pasojë e torturave, kemi një të sëmurë rëndë me pasoja post’traumatike, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në moshë të re. Naser Rrahmani vdiq më 26.11.2006 në moshën 46 vjeçe, ndërsa Burhan Hasani më 23.08.2008 po ashtu në moshën 46 vjeçe..

Prishtinë, 10 Janar 2022

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BB VIP – Në shtëpinë e “Big Brother VIP” kanë…