Kosova sërish aplikon për anëtarësim në Interpol

08 shkurt 2019 | 11:48

Shteti i Kosovës më 31 janar ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim në Interpol.

Lajmin e ka konfirmuar  për gazetën “Epoka e re”, Mentor Tahiri, shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa.

Ai ka vlerësuar se Policia e Kosovës i plotëson të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në Interpol.

Tahiri ka thënë se policia vazhdon të jetë ofruese e sigurisë ndërkombëtare, por anëtarësimi në këtë organizatë do të formalizojë këtë bashkëpunim dhe do të vë Policinë e Kosovës në pozicion plotësisht të barabartë në rrafsh ndërkombëtar.

Por, sipas tij, sa i përket këtij procesi sfidues, mbetet konotacioni aktual gjeopolitik në botë dhe qëndrimi i paarsyeshëm i disa shteteve me orientim antiperëndimor.

“Mund të konfirmoj se Republika e Kosovës më 31 janar ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Interpol. Lidhur me këtë janë ndjekur të gjitha procedurat dhe afatet kohore që aplikimi për Interpol të shqyrtohet brenda këtij viti. Bazuar në raportin e progresit të lëshuar nga BE-ja si dhe nga vlerësimet e tjera të pavarura, Policia e Kosovës plotëson të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në Interpol. Policia e Kosovës edhe deri më tani ka gjetur mundësitë e bashkëpunimit me Interpol dhe vazhdon të jetë ofruese e sigurisë ndërkombëtare. Anëtarësimi tani do të formalizojë këtë bashkëpunim dhe do të vë Policinë e Kosovës në pozicion plotësisht të barabartë në rrafsh ndërkombëtar. Sfiduese mbetet konotacioni aktual gjeopolitik në botë dhe qëndrimi i paarsyeshëm i disa shteteve me orientim antiperëndimor”, është shprehur Tahiri.

Ai ka thënë se çdo anëtarësim i Republikës së Kosovës në kuadër të mekanizmave të sistemit ndërkombëtar, jo vetëm politik, por edhe të sigurisë, është një hap drejt forcimit të shtetësisë.

Në këtë kontekst, Tahiri ka theksuar se deri më tani Serbia ka aktivizuar të gjitha resurset e saj që ta pengojë anëtarësimin në Interpol dhe këtë ia ka arritur për faktin se për anëtarësim në Interpol ka kriter tjetër të shumicës dhe jo kriter të shumicës absolute.

Megjithatë, ai ka thënë se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol nuk duhet të shihet nga prizmi politik. Sipas Tahirit, me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të përfitojnë të gjithë aktorët ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë edhe ata rajonalë.

“S’ka dyshim se çdo anëtarësim i Republikës së Kosovës në kuadër të mekanizmave të sistemit ndërkombëtar, jo vetëm politik, por edhe të sigurisë, shihet si një hap tutje drejt forcimit të shtetësisë. Deri më tani Serbia ka aktivizuar të gjitha resurset e saj që ta pengojë anëtarësimin. Në Interpol këtë ia ka arritur për faktin se për anëtarësim në Interpol ka kriter tjetër të shumicës dhe jo kriter të shumicës absolute. Gjithsesi, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol nuk duhet të shihet nga prizmi politik. Mbi të gjitha, kemi të bëjmë me sigurinë, e në këtë drejtim me anëtarësimin e vendit tonë, përfitojnë të gjithë aktorët ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë edhe ata rajonalë”, ka deklaruar Tahiri.

Aplikimi për anëtarësim në Interpol është përkrahur nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Ai ka thënë se Policia e Kosovës i plotëson të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare. Sipas Qalajt, ky anëtarësim i Kosovës është në interes të vet Interpolit. “Policia e Kosovës nuk është anëtare e Interpolit jo për shkak të profesionalizimit, por për arsye gjeopolitike dhe të lobimit të Serbisë e aleatëve të saj. Sa më shpejt që është e mundur duhet të jemi pjesë e Interpolit. Nuk është vetëm interes i Policisë së Kosovës, por interes i vet Interpolit”, ka deklaruar Qalaj në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”.

Edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka thënë se, pavarësisht prej vështirësive, Kosova edhe këtë vit duhet t’i vazhdojë përpjekjet për t’u bërë pjesë e Interpolit.  “Asnjëherë Kosova nuk duhet të heqë dorë nga nevoja e të qenit anëtare e Interpolit. Në këtë aspekt duhet të bëhen punë, përkushtim dhe angazhim. Unë i përgëzoj kolegët e mi për punën e mirë që po bëjnë, por dështimi në Interpol nuk duhet t’i demotivojë ata. Përkundrazi, duhet t’i fuqizojë që të jenë të vendosur në punën e tyre sepse Kosovës nuk ia duan të mirën ata që duan ta shohin vendin tonë të zhytur në krim. Prandaj, jam i bindur se Policia e Kosovës do të angazhohet edhe më fuqishëm për luftimin e krimit”, ka thënë Ahmeti për gazetën “Epoka e re”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Lisen Bashkurti Në historinë moderne të popullit shqiptar, pavarësia…