Kosova shënon progres në integrimin e aftësive të gjelbra në sistemin formal të arsimit
Përfaqësues të institucioneve publike, shkollave, akademisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe nxënësve u mblodhën sot në Universitetin e Prishtinës për të shqyrtuar përparimin në fuqizimin e sistemit arsimor dhe përgatitjen e të rinjve për t’iu përgjigjur sfidave mjedisore.
Ngjarja “Integrimi i aftësive të gjelbra për një të ardhme të qëndrueshme: Përvoja nga shkollat”, e hapur nga Pro-Rektorja e Universitetit të Prishtinës, znj. Majlinda Gjelaj, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund dhe UNICEF vuri në pah përparimin e Kosovës në integrimin e aftësive të gjelbra, qëndrueshmërisë mjedisore dhe ndërgjegjësimit për klimën në arsimin formal. Po ashtu, u prezantuan përvoja konkrete nga shkollat dhe nxënësit, duke dëshmuar se si mësimi në klasë mund të shndërrohet në veprim praktik për një mjedis më të shëndetshëm dhe një të ardhme më të qëndrueshme.
Kjo nismë është pjesë e projektit rajonal “Përmirësimi i cilësisë së ajrit në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga UNICEF dhe Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit, me mbështetjen e Sida-s. Në Kosovë, projekti ka kontribuar në zhvillimin e kurrikulës, trajnimin e mësimdhënësve, hartimin e materialeve edukative, angazhimin e të rinjve dhe avokimin për cilësinë e ajrit, ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
Përveç kësaj, në kuadër të programit janë organizuar konsultime me të rinjtë lidhur me zhvillimet kryesore të politikave mjedisore në Kosovë, përfshirë Kontributet Vullnetare Kombëtare të Përcaktuara (VNDC) dhe Strategjinë për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike. Këto konsultime u kanë ofruar fëmijëve dhe të rinjve mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në diskutimet e nivelit të lartë, duke siguruar që politikat kryesore të marrin parasysh perspektivat e tyre, si dhe rreziqet dhe cenueshmëritë specifike me të cilat përballen.
“Duke i pajisur të rinjtë me aftësi të gjelbra sot, ne po investojmë në aftësinë e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe më rezistente. Suedia është krenare që mbështet mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët po e shndërrojnë ndërgjegjësimin mjedisor në veprime konkrete me ndikim,” theksoi Ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Jonas B. Westerlund.
Gjithashtu, janë zhvilluar dhe akredituar module trajnimi për aftësitë e gjelbra për mësimdhënësit në shërbim, të cilat janë integruar edhe në programin mësimor të Fakultetit të Edukimit për përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm. Mbi 400 mësimdhënës janë pajisur me njohuri dhe mjete të reja, ndërsa zbatimi në klasë ka arritur tashmë te mijëra nxënës në mbarë Kosovën.
Po ashtu, në platformën e mësimit në distancë të Kosovës është vënë në dispozicion një modul elektronik për cilësinë e ajrit, duke zgjeruar qasjen e nxënësve në edukimin mjedisor.
“Aftësitë e gjelbra nuk janë një koncept abstrakt; ato përkthehen në ndërgjegjësim, ide, zgjidhje, inovacion, zakone të përditshme dhe mjete për të përballuar sfidat e së ardhmes,” tha znj. Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. “Pajisja e të rinjve me këto aftësi nuk është një zgjedhje, por një çështje e të drejtave të njeriut. Ndryshimet klimatike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve për jetën, shëndetin, arsimin, ushqimin, ujin dhe zhvillimin, ndërsa fëmijët mbajnë barrën më të madhe të pasojave, megjithëse kanë kontribuar më së paku në shkaktimin e tyre.”
Një prezantim kryesor nga Prof. Asoc. Dr. Zeqir Veselaj, nga Fakulteti i Edukimit, u ndal te arritjet, mësimet e nxjerra dhe hapat e ardhshëm për integrimin e aftësive të gjelbra në sistemin formal të arsimit. Prezantimi vuri në pah arritjet kryesore, përfshirë vlerësimin e përputhshmërisë së kurrikulës parauniversitare me Kornizën Evropiane të Kompetencave të Gjelbra, zhvillimin dhe akreditimin nga Ministria e Arsimit të moduleve të trajnimit për mësimdhënësit, MËSO GJELBËR-DORACAK PËR MËSIMDHËNËS | UNICEF Kosovo Programme forcimin e kapaciteteve të mësimdhënësve, si dhe ndikimin pozitiv të këtyre ndërhyrjeve në praktikat e mësimdhënies dhe të nxënit në klasë.
Mësimdhënës dhe nxënës nga shkolla “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, shkolla “Qamil Batalli” në Prishtinë dhe “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë ndanë përvojat e tyre nga klasa, duke prezantuar shembuj praktikë se si aftësitë e gjelbra kanë ndikuar në mësimdhënie, angazhimin e nxënësve dhe zakonet e tyre të përditshme në mbrojtje të mjedisit.
Ngjarja u përmbyll me një ekspozitë të punimeve të nxënësve dhe shkollave mbi aftësitë e gjelbra, e cila shërbeu si platformë për prezantimin e rezultateve konkrete dhe diskutimin e mundësive për institucionalizimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të edukimit të gjelbër në Kosovë.
Përmes integrimit të aftësive të gjelbra në procesin e mësimdhënies dhe të nxënit, Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm për t’i pajisur fëmijët dhe të rinjtë me njohuritë, kompetencat dhe besimin e nevojshëm për të kontribuar në veprimin klimatik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.



