Kosova, shtet i krizave
Nga kriza në krizë. Qytetarët e Kosovës do të detyrohen të dalin në zgjedhje për herë të pestë në 16 muaj, nëse llogariten edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale. Më së largu më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të dalin për të votuar për herë të tretë në zgjedhje parlamentare në më pak se dy vjet.
Kriza e re politike u rikonfirmua të martën e 28 prillit, kur deputetët dështuan të zgjedhin një president dhe vendi automatikisht shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.
E “kriza politike” s’është fjalë e re për qytetarët. As pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk u përballën me diçka tjetër. Pas atyre zgjedhjeve, deputetët vonuan muaj të tërë për të konstituuar Kuvendin e në fund nuk e votuan qeverinë.
Nga “kriza 1” vendi shkoi sërish në zgjedhje. Më 28 dhjetor, në kutitë e votimit Vetëvendosje mori mbi 51 për qind të votave dhe si e vetme ia doli ta formojë Qeverinë dhe shumicën në Kuvend. Por “kriza” u rikthye te çështja e postit të presidentit. Partia e Albin Kurtit nuk arriti dakordim me asnjë nga partitë tjera për të zgjedhur një president, e si pasojë qytetarët do të dalin sërish në zgjedhje.
Vetëvendosje i ka akuzuar partitë e tjera që nuk qëndruan në sallë për ta bërë kuorumin prej 80 votash të domosdoshme për rundin e parë dhe të dytë për zgjedhjen e presidentit. E partitë tjera akuzuan Vetëvendosjen për mosbashkëpunim dhe për tentim të kapjes së të gjitha pozitave shtetërore.
Gjithsesi, ajo që dihet është se prej 9 shkurtit të vitit të shkuar deri në shkurt sivjet, shteti u udhëhoq nga një qeveri në detyrë. Tash kjo do të ndodhë sërish edhe për të paktën dy muaj, por se këtë herë edhe presidenti do të jetë me ushtrues detyre.
Në legjislaturën që sapo është shpërndarë, VV-ja kishte 57 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6.
20 ulëset e tjera ishin të komuniteteve. .Koha.net



