Kosova synon vazhdimin e serisë pozitive ndaj Bullgarisë
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave do të zhvillojë të martën ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit C2 të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, ku përballë do të ketë Bullgarinë. Takimi do të luhet në Sofje, me fillim nga ora 16:00 (sipas kohës në Kosovë).
Dardanet hyjnë në këtë sfidë me një bilanc shumë pozitiv në përballjet e deritanishme ndaj bullgareve, me pesë fitore dhe një barazim në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Kjo statistikë përbën një motiv shtesë për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, që synon të vazhdojë serinë e rezultateve të mira.
Forma aktuale e Kombëtares është mjaft inkurajuese. Fillimisht, më 3 mars, Kosova shënoi fitore bindëse ndaj Gjibraltarit (6:0), ndërsa vetëm katër ditë më vonë arriti një sukses të rëndësishëm në udhëtim ndaj Kroacisë (1:0), duke rritur ndjeshëm vetëbesimin brenda skuadrës.
Një tjetër rezultat pozitiv ndaj Bullgarisë do ta afronte edhe më shumë Kosovën drejt objektivit për të përfunduar në vendin e parë në grup.
Historiku i përballjeve ndërmjet dy kombëtareve flet në favor të Kosovës. Që nga shkurti i vitit 2019, kur Dardanet fituan dy ndeshje miqësore në Sofje, e deri te sukseset në vitin 2023, fillimisht 2:1 në një turne në Turqi dhe më pas 1:0 në Sofje, Kosova ka treguar vazhdimësi ndaj këtij kundërshtari. Ndeshja e shtatorit 2023 në kuadër të Ligës së Kombeve përfundoi pa gola, ndërsa më 1 dhjetor 2023 Kosova shënoi fitore të thellë 5:1 në Podujevë.
“Dy ndeshjet e radhës i kemi me Bullgarinë. E njohim këtë kundërshtar mirë, por tani e kanë një trajner të ri dhe mund të na presë një sistem taktik ndryshe. Sidoqoftë, ne kemi një atmosferë shumë të mirë dhe stërvitja e sote ka shkuar mirë. Dy fitoret e fundit kundër Kroacisë dhe Gjibraltarit na kanë dhënë vetëbesim, por ne do të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe besoj se do të dalim me rezultat pozitiv”, tha kapitenja Erëleta Memeti.
Optimiste është shprehur edhe qendërmbrojtësja, Blerta Smaili.
“Sot stërvitja e fundit para ndeshjes. Jemi përgatitur taktikisht dhe mentalisht shumë mirë. Besoj se nesër do të kemi një lojë shumë të mirë dhe do të marrim rezultat pozitiv”, tha Blerta Smaili.



