Kosova U21, për befasi ndaj Gjermanisë U21

27 mars 2018 | 12:29

Ekipi përfaqësues i Kosovës U21 do të përpiqet ta befasojë kampionen e botës, Gjermaninë, në ndeshjen që zhvillohet sot në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, kurse gjermanët kanë treguar respekt për Kosovën, por kanë paralajmëruar se kanë ardhur për tri pikët e plota.

Pas fitores ndaj Azerbajxhanit (2-0), përfaqësuesja e Kosovës U21 në futboll do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese për “Euro 2019” ndaj Gjermanisë. Kjo ndeshje zhvillohet sot (e martë) në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë nga ora 18:45.

Trajneri Rafet Prekazi ka thënë se Gjermania është favorite absolute në këtë ndeshje, por Kosova do të mundohet të nxjerrë rezultat pozitiv. “Gjermania është favorite jo ndaj Kosovës, por ndaj shumë ekipeve botërore. Ne do të përpiqemi t’i kundërpërgjigjemi Gjermanisë. Nuk e di se çfarë rezultati do të jetë, por jam i sigurt se djemtë do ta japin maksimumin. Atë e kanë obligim ndaj këtij populli. Do ta japim maksimumin dhe mendoj se mund të nxjerrim diçka pozitive, por Gjermania mbetet favorite absolute”, ka thënë Prekazi.

Për këtë ndeshje foli edhe një nga lojtarët më të mirë të Kosovës, Rron Broja, i cili shpreson se të martën në Mitrovicë do të ndodhë befasia ndaj kampionëve aktualë të botës. “Na pret një ndeshje e vështirë kundër Gjermanisë, pasi dihet se kemi të bëjmë me kampionët në fuqi. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe synojmë të bëjmë befasi, duke marrë një barazim, pse jo edhe të fitojmë. Gjermanët janë shumë të fortë, por e kemi analizuar lojën e tyre dhe do ta japim maksimumin që të nxjerrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, ka deklaruar Broja.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Gjermani, Kosova pati paraqitje shumë të mirë, por fituese në atë ndeshje doli ekipi vendës me golin e shënuar nga Maximilian Eggestein në minutën e fundit të pjesës së parë. Ndërsa trajneri i Gjermanisë, Stefan Kuntz, ka thënë se Kosova ka një ekip të mirë, por që ata kanë ardhur për fitore. “Do të jetë një ndeshje interesante. Është e kuptueshme që kemi ardhur për fitore. Dua të them se Kosova ka një ekip shumë të mirë i cili luan me zemër”, ka thënë Kuntz.

Grupi 5

18:45 Izraeli U21-Norvegjia U21
18:45 Kosova U21-Gjermania U21
20:30 Irlanda U21-Azerbajxhani U21

Tabela

1. Gjermania U21     15 pikë
2. Irlanda U21          10
3. Kosova U21          10
4. Norvegjia U21       8
5. Izraeli U21              7
6. Azerbajxhani U2   1

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka organizuar sot konferencën…