Kosova, veç me dy klube në Evropë

01 tetor 2018 | 18:17

Futbolli i Kosovës do të prezantohet në edicion e ardhshëm me vetëm dy klube në garat evropiane. Këtë lajm ia ka konfirmuar sot UEFA, Federatës së Futbollit të Kosovës.  Në fakt ishte pritur që Kosova të ketë tri skuadra në edicionin e ardhshëm në Evropë, pasi Drita dhe Prishtina patën paraqitje të mira.

“Shtëpia Evropiane e Futbollit (UEFA), sot ia ka komunikuar edhe zyrtarisht Federatës së Futbollit të Kosovës që edhe në edicionin pasues të garave evropiane 2019-2020, në garat e UEFA-s, do të marrin pjesë dy klube nga Kosova. Në këtë rast Kampioni në rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve, kurse fituesi i Kupës ashtu si edhe deri tani do të marrë pjesë në rrethin parakualifikues të Evropa Ligës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Më pas shtëpia e futbollit të Kosovës, ka njoftuar edhe për faktin pse Kosovës nuk i është shtuar edhe një skuadër për pjesëmarrje në garat më të forta ndërkombëtare të futbollit.

“Cikli i prezantimit të klubeve në garat e UEFA-s ndryshon çdo tri vite, prandaj përkundër rezultateve pozitive të klubeve të Kosovës në kampanjën e fundit të ndeshjeve në garat e UEFA-s dhe kërkesës së FFK-së për shtimin e të paktën një klubi në garat ndërkombëtare, ai ndryshim nuk ka reflektuar menjëherë, por efektet mund të ndodhin në vitet në vijim. Të shpresojmë se një gjë e tillë do të ndodhë por kjo varet shumë nga paraqitja e skuadrave të Kosovës në këto dy gara prestigjioze”, ka përfunduar njoftimi i FFK-së.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ndeshjeve të tij, Roger Federer zhvillon gjithnjë një gjuajtje…