Kosova zhvillon stërvitjen e dytë, optimizëm për rezultat pozitiv

10 tetor 2018 | 11:09

Më 11 tetor “Dardanët” përballen me Maltën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse optimizmi është i madh për rezultat pozitiv. Trajneri Bernard Challandes i ka pasur të martën në dispozicion të gjithë futbollistët në stërvitjen e dytë të përfaqësueses

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar edhe stërvitjen e dytë për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Maltës e cila zhvillohet të enjten në orën 20:45. Trajneri zviceran i Kosovës, Bernard Challandes, ndryshe nga stërvitja e parë, të martën i kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, përfshirë edhe yllin e Lazios, Valon Berisha, i cili rikthehet në përfaqësuese pas një kohe të gjatë.

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ka shfaqur optimizëm për rezultat pozitiv në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë dhe me ritëm më të lartë duke marrë parasysh se kemi vetë tri ditë para ndeshjes kundër Maltës. Edhe pse jemi favoritë ne duhet t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh. Besoj shumë ne rezultat të mirë”, ka thënë Ujkani.

Risi për dy ndeshjet e këtij muaji në listën e trajnerit Challandes është edhe sulmuesi Lirim Kastrati, i cili është duke shkëlqyer në këtë edicion me fanellën e Lokomotiva Zagrebit në Kroaci. “Ishte ëndërr e imja që të luaja për Përfaqësuesen A dhe kjo u bë realitet. Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Do të përpiqem ta jap maksimumin tim nëse do të vendos përzgjedhësi që të më inkuadrojë dhe nuk është me rëndësi se nga cila minutë filloj”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa mesfushori Herolind Shala, ka thënë se Kosova nuk mendon për asgjë tjetër përveç fitores. “Jam duke kaluar në një formë shumë të mirë dhe stërvitjet janë duke shkuar mjaft mirë. Si grup po funksionon mirë dhe askush nuk po mendon për asnjë rezultat tjetër veç fitores. Mendojë se nuk ka ndeshje të lehta, por mendojë se jemi më të mirë”, ka thënë Shala. I rikthyeri në përfaqesuese, Valon Berisha, ka deklaruar: “Në radhë të parë jam i lumtur që pas një lëndimi jam kthyer në Kombëtare gati u bënë një vit. Jemi duke u  përgatitur mjaft mirë dhe unë besojë se do të shënojmë fitore, por as sesi nuk mendojë se do ta kemi të lehtë, Kemi një atmosferë të mirë dhe po punohet me përkushtim”.

Ndërsa të martën Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar opinion publik se dyert e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosova – Malta do të hapen në orën 18:00. Sipas FFK-së, asnjë person, përfshirë edhe fëmijët, pavarësisht prej moshës së tyre, nuk do të lejohet të hyjë në zonën e stadiumit pa biletë. “Në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli, prandaj luten të gjithë qytetarët që t’i lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat. Qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Gjërat që nuk lejohen në stadium dhe se do të konfiskohen në hyrje janë: Mjetet piroteknike, shishet e qelqit, pavarësisht prej madhësisë, shishet e plastikës, pavarësisht prej madhësisë, pijet alkoolike dhe substancat narkotike, ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh) si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem etj., ombrella, armë zjarri ose armë të ftohta, sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.), kamera profesionale dhe videokamera, pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzele, materialet promovuese ose komerciale, çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të parandalimit të veprimtarive ilegale, njësit e Doganës…