Kosovare Asllani viziton Kosovën

17 shkurt 2023 | 14:02

Futbollistja me famë botërore, Kosovare Asllani ka mbërritur për vizitë në Kosovë në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë. Ajo ka ardhur nën epitetin e Ambasadores së Shpresës së Mirë të UNICEF-it, teksa në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë është pritur nga presidenti Agim Ademi, bashkë me babain e Kosovares, Naset Asllani.

Duke i dëshiruar mirëseardhje në atdhe, Ademi i shprehu mirënjohjen e tij dhe të komunitetit të futbollit kosovar për prezantimin e saj dinjitoz të vendit të saj të origjinës kudo në botë përmes futbollit. Kreu i FFK-së theksoi se vet emri i Kosovares ka bërë që të prezantohet vendi ynë në mënyrën më të mirë, derisa ka thënë se ajo është shndërruar në model për vajzat dhe gratë kosovare por jo vetëm, falë paraqitjeve të saj dinjitoze në fanellën e Real Madridit, Milanit dhe Kombëtares së Suedisë.

Ademi duke ia dhuruar figurën e ‘Hyjneshës në Fron’ theksoi se Kosovarja është një ‘Hyjneshë Futbolli’ dhe si e tillë është shembull për t’u ndjekur nga vajzat e reja kosovare. Po ashtu, Ademi e nderoi futbollisten me karrierë të bujshme edhe me fanellën e Përfaqësues së Kosovës, duke shprehur shpresën se pas përfundimit të karrierës ajo do t’i hyjë zejes së trajneres dhe në të ardhmen kontributin e saj ta japë në rolin e përzgjedhëses së Kosovës. Nga ana e saj, Kosovare Asllani shprehu mirënjohjen e saj për kryetarin Ademi dhe FFK-në për mikpritjen e ngrohtë në këtë ditë të veçantë, duke i uruar atij dhe tërë popullit Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

“Ajo e përgëzoi FFK-në për punën e jashtëzakonshme dhe sukseset e arritura pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Ajo theksoi se është shumë e lidhur me Kosovën dhe shprehu dëshirën që ndeshja përmbyllëse e karrierës të jetë pikërisht ajo ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, për çka kryetari Ademi i premtoi se kurdo që vjen ajo ditë, FFK-ja do të jetë e gatshme të organizojë një ndeshje të tillë. Gjithashtu, Kosovarja u shpreh e gatshme që në të ardhmen përvojën dhe kontributin e saj ta japë edhe si përzgjedhëse e Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur pasardhës të…