‘Kosovën e gjeta bodrum me ujë’, Kurti demantohet nga diplomatë perëndimorë: Kosova është mrekulli e vogël, ka ecë kaq larg
Diplomatët e vendeve mike të Republikës së Kosovës e kanë dematauar keq kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosovën e ka gjetur “bodrum me ujë”.
Duke e komentuar këtë deklaratë të lideri të LV-së, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ai gjerman, Rainer Rudolph, kanë vlerësuar se Kosova në këto 27 vite të çlirimit ka përjetuar zhvillim të jashtëzakonshëm.
Ata kanë bërë me dije se historia e Kosovës mund të konsiderohet si mrekulli e vogël.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, është shprehur optimist së zhvillimi i Kosovës do të vazhdojë.
“Historia e Kosovës gjatë 25 apo 27 viteve të fundit është e jashtëzakonshme. Nesër do të shënojmë përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për t’i dhënë fund një situate të tmerrshme humanitare. Mendoj se është pothuajse një mrekulli e vogël që Kosova ka arritur të ecë kaq larg dhe kaq shpejt gjatë kësaj periudhe. Shpresa ime e vetme është që ky zhvillim të vazhdojë në të njëjtën trajektore. Dhe ne jemi këtu si miq për ta mbështetur këtë”, ka thënë Hargreaves për KosovaPress.
As ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, nuk mendon si Kurti.
Në një deklaratë për KosovaPress, ai ka thënë se “gota e Kosovës është katër të pestat e mbushur.
“Unë erdha për herë të parë këtu në vitin 2001 dhe vendi është krejtësisht ndryshe nga ai që pashë atëherë. Njerëzit që e kanë jetuar gjithë këtë periudhë ndoshta nuk e kuptojnë gjithmonë sa larg ka arritur Kosova dhe sa shumë ka përparuar. Kjo është një arritje e madhe. Ne jemi këtu si miq të Kosovës për të punuar së bashku që ky ritëm dhe ky momentum të vazhdojnë. Ne kemi nevojë për Kosovën si pjesë të grupit tonë të aleatëve dhe miqve në arenën ndërkombëtare dhe kjo është ajo që po përpiqemi të mbështesim.”, ka thënë diplomati gjerman.
Para zgjedhjeve të 7 qershorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte çuditur me disa pretendime.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai kishte vlerësuar se shtetin e Kosovës e kishte marrë në gjendje të keqe.
Duke përdorur metafora, ai kishte thënë se kur kishte ardhur në pushtet Kosova ishte “një bodrum me ujë”.
“Ama ne e kemi gjetur Kosovën në bodrum, qetash është në kat të parë, ti po thua pse nuk është në kat të tretë. Në bodrum e kam marrë. Veç diçka, në bodrum veç gjysë metri ujë aty, a e kupton?”, ka thënë Kurti.
Kur e kishte pyetur gazetari se mos qeveria e tij po e mbush edhe më shumë me ujë, Kurti ishte nervozuar, duke thënë se kjo është një aktakuzë.
“Nuk jemi duke e mbushur ujë. Absolutisht. Kjo është aktakuzë. Kjo akuzë nuk është fer”, kishte thënë Kurti.



