KOSTT-i s’ka qasje fizike në veri, dështon projekti për nënstacionin në Vallaq

27 shtator 2022 | 17:18

Edhe më tutje sistemi energjetik në veri të Kosovës vazhdon të mos kontrollohet nga ana e institucioneve të Kosovës.

Kompania publike KOSTT nuk po arrin të investojë në linjën energjetike në nënstacionin në Vallaq të pjesës veriore në Mitrovicë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT-it, Sabri Musiqi, ka thënë se kjo kompani për arsye të pamundësisë së qasjes fizike, nuk po arrin ta realizojë projektin për investime në Vallaq.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Musiqi ka pranuar të gjeturat e raportit të fundit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për ndryshimin e listës së prioriteteve në realizimin e projekteve, me arsyetimin e kërkesave specifike.

“Në kuadër të planeve tona investive, e kemi të përfshirë edhe Vallaqin në pjesën veriore të Kosovës, por për shkak të pamundësisë të qasjes fizike në atë pjesë, nuk kemi mundur të procedojmë tutje. Kemi provuar, kemi një rast konkret për investime në nënstacionin e Vallaqit dhe në hidrocentralin e Ujmanit, ku nuk kemi mundur sot e asaj dite t’i implementojë projektet në atë pjesë për shkak të qasjes fizike”, ka thënë Musiqi.

Krahas të gjeturave, Arben Selimi nga Zyra e Kombëtare e Auditimit gjatë raportimit në këtë komision, ka thënë se KOSTT-i nuk ka zbatuar projektet me prioritet të lartë as pas 5 vjetëve.

Nga auditori është thënë se projektet në vlerë prej 27.4 milionë euro nuk janë realizuar ende edhe pse janë cilësuar me prioritet dhe janë aprovuar nga ZRrE-ja.

“Përfundimet audituese tregojnë se edhe pse kishte proces të duhur të vendosjes së prioriteteve për investime zbatimi i tyre nuk është bërë mjaftueshëm dhe në mënyrë efektive. Aktivitetet e prokurimit për këto investime nuk kishin qenë mjaftueshëm efektive dhe efikase në disa raste as ekonomike”,  ka thënë Selimi.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT-it, Sabri Musiqi, ka pranuar se nuk është bërë procedimi sipas planit zhvillimor.

“Po, është e vërtet nuk është bërë procedimi sipas planit zhvillimor, arsye kryesore ka qenë se në vitin 2017 kemi pranuar një kërkesë nga KEDS-si për nevojën për injektim nga rrjeti i transmetimit. Në vitin 2017 na kanë informuar se në Drenasi, parku industrial nuk do të mund të furnizohet nga Feronikeli me kërkesë të pronarit të kësaj fabrike. Kështu që ka pasur një situatë shumë të vështirësuar dhe ne pas analizave që kemi bërë kemi ndërruar renditjen e prioriteteve, dhe kështu Drenasi është futur në prioritetin e parë”, ka thënë Musiqi.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka kritikuar KOSTT-in për veprimet projekto-ndërto.

“Këtu po e jepi një koment si inxhinier, jo si kryetar i Komisionit. Në infrastrukturën e Kosovës, por edhe në shumë institucione të tjera kemi pasur raste të tilla ku kemi ndërtuar objekte projekto-ndërto. Si praktikë dhe metodologji në rrethana çfarë jemi nuk është mirë e qëndrueshme dhe nuk do të duhej të vazhdojë kjo procedurë. Prandaj, mendojë se ka zgjidhje”, ka thënë Shala.

Më tutje, deputeti i LV-së, Driton Hyseni ka thënë se për të gjitha të gjeturat edhe sa i përket atyre për avancime dhe emërime pa procedura konkurruese, të procedohen në prokurori.

Kurse kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, ka thënë se disa të gjetura janë adresuar në prokurori, siç është rasti për avancimet pa konkurse.

Mehmeti ka thënë se janë të përkushtuar në përmbushjen dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga auditori.

Edhe deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka kërkuar nga KOSTT që të gjitha të gjeturat të përmirësohen dhe adresohen. Lekaj ka kërkuar po ashtu përgjegjësi edhe për ngecjen e investimeve nëpër nënstacione.

Në fund, Komisioni për Ekonomi nuk ka hedhur në votim raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performancës së ndërmarrjes publike KOSTT pasi drejtuesve të kësaj kompanie i janë kërkuar dokumente shtesë sa i përket zbatimit të këtyre rekomandimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës nga…