“KPK-ja të sigurojë përfaqësim gjinor me zgjedhjen e anëtarit të ri nga radhët e PSRK-së”

18 mars 2024 | 14:44

Organizatat joqeveritare IKD, FOL dhe INPO i bëjnë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat që ka, të garantojë përfaqësimin gjinor në përbërjen e KPK-së me rastin e votimit për anëtarin e ri të Këshillit nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

KPK-ja nga 27 marsi 2024 do të mbetet vetëm me dy anëtare gra në përbërjen e vet. Kjo pasi anëtares aktuale Merita Bina-Rugova i përfundon mandati më 27 mars 2024. E njëjta, në këtë pozitë ishte zgjedhur më 27 mars 2019.

IKD, FOL dhe INPO i bëjnë thirrje KPK-së që të respektojë Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren përkatëse për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë, kjo me qëllimin e vetëm që të sigurohet përfaqësimi gjinor siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.

Sipas Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, [neni 9, paragrafi 4], është përcaktuar se: “Anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe zgjedhën bazuar në kompetencën, përvojën dhe njohurinë e tyre”. Pra, sipas këtij Ligji, përbërja në KPK duhet të pasqyrojë parimet e barazisë gjinore.

Sipas këtyre tri organizatave, edhe sipas Rregullores përkatëse, konkretisht [Neni 5, par.2], Këshilli duhet të kujdeset dhe të bëjë vlerësimet paraprake mbi nivelin e përfaqësimit gjinor.

Tutje, paragrafi 3 i po këtij neni ka paraparë se: “Nëse ka aplikues nga komunitetet joshumicë ose të gjinisë femërore, KPK-ja do të angazhohet të sigurojë që në përbërjen e saj të ketë së paku një (1) anëtar nga komunitetet joshumicë dhe së paku tre (3) anëtarë të gjinisë femërore”. Sipas rregullores përkatëse, kërkohet që në përbërjen e KPK-së minimumi të jenë tri anëtare të gjinisë femërore.

Po ashtu, [neni 8, par. 15] i Rregullores përkatëse ka përcaktuar se: “Nëse KZ i KPK-së konstaton se përfaqësimi i tillë gjinor dhe etnik nuk është arritur sipas nenit 4 të kësaj rregulloreje, atëherë KPK-ja do ta zbatojë rregullën sipas së cilës kandidatët femra apo kandidatët nga radhët e komuniteteve joshumicë që kanë numër më të lartë të votave në nivel të të gjitha prokurorive ku mbahen zgjedhjet në proporcion me numrin e përgjithshëm të prokurorëve, zgjedhën me përparësi anëtarë të KPK-së. Në rast se kandidatët kanë vota të njëjta atëherë zgjedhja bëhet me short”.

KPK-ja në të kaluarën ka pasur situata të tilla të ngjashme, e ku veproi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kujtojmë se në zgjedhjet e zhvilluara në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, në tetor të vitit 2020 në votimin e dytë në garë kishin qenë prokurorët Jovo Radoviq dhe Naim Beka.

Prokurori Beka e kishte fituar besimin e prokurorëve me 11 vota, ndërsa prokurori Radoviq kishte marrë vetëm 9 vota. Megjithatë, edhe pse humbës i zgjedhjeve, prokurori Radoviq ishte zgjedhur anëtar i KPK-së, kjo për faktin e arritjes së qëllimit të përfaqësimit etnik në KPK, pasi prokurori Radoviq vinte nga komuniteti serb. Për më tepër, kryesuesi i asaj kohe i KPK-së, Bahri Hyseni i kishte kërkuar ndjesë Bekës i cili e kishte fituar garën, duke thënë se kështu përcaktohej me rregullore dhe se kjo siç thoshte ai është bërë praktikë edhe në mandatet e mëhershme të KPK-së.

Edhe Strategjia për Sundimin e Ligjit (2021-2026) dhe Plani i Veprimit të saj, kishin kërkuar nga KPK-ja që të zbatojë masat e politikave për sigurimin e përfaqësimit gjinor dhe etnik në përbërjen e saj. [Raporti Vjetor për Zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, mars 2023, fq.18].

Po ashtu, sipas Raportit të Progresit për Republikën e Kosovës për vitin 2023, Republika e Kosovës ende ka një përqindje të ulët të grave gjyqtare dhe prokurore në krahasim me shumicën e vendeve të tjera evropiane.

Ndryshe, pabarazia gjinore më e theksuar shprehet në pozitat udhëheqëse. Përqindja e grave në pozitat udhëheqëse nuk është ekuivalente me përqindjen e përgjithshme të grave prokurore në sistemin e drejtësisë. Kjo pasi, nga dhjetë pozita të kryeprokurorëve në vend, pozitën e kryeprokurorëve e mbajnë vetëm prokurorët burra. Pra, asnjë nga to nuk udhëhiqet nga gratë.

Mbi bazën e të lartcekurave, IKD, FOL dhe INPO i rekomandojnë KPK-së që me rastin e votimit për anëtarin e ri të KPK-së nga radhët e PSRK-së, të zgjedhë prokuroren Habibe Salihu si anëtare të re të KPK-së, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi gjinor së paku tri anëtare gra në përbërjen e KPK-së.

Në të kundërtën, KPK do të veprojë në kundërshtim me Ligjin për KPK, Rregulloren përkatëse, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe me standardet dhe praktikën e krijuar nga vetë ajo deri më tani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë një anëtar të…