KQZ-ja gati për zgjedhjet e 6 tetorit, arrijnë dërgesat e fundit nga diaspora

01 tetor 2019 | 15:18

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës lidhur me përgatitjet e javës së fundit para ditës se zgjedhjeve, të cilat do të mbahen me 6 tetor.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se tashmë gjithçka është gati për ditën e zgjedhjeve.

“Fletëvotimet kane përfunduar, jemi në koordinim me Policinë e Kosovës. Lista e votuesve, shtypja e tyre kanë përfunduar si dhe trajnimi i stafit që do të angazhohet. Është duke vijuar trajnimi i komisionarëve nëpër komunat përkatëse. Pasnesër planifikojmë që në trajnim që kemi me kryesuesit e këshillave të kemi edhe një kapje të hallkave që ka të bëjë me shpalljen e rezultateve. Jemi duke bërë përgatitjet e fundit. Planifikojmë sot të kemi një testim që të krijojmë një pasqyrë më të saktë. Janë duke u bërë edhe paketimet adekuate”, ka thënë Halimi.

Halimi ka bërë me dije se të gjitha materialet janë të cilësisë së duhur. Ai ka theksuar se janë duke punuar që mos të kenë probleme gjatë zgjedhjeve.

“Kemi biseduar për vështirësitë që kemi pasur në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, tashmë ka një reflektim. Ne sot edhe nesër jemi në testim, zyrtarët tanë janë në kontakt me njësitet profesionale. Nuk besoj që do të kemi telashe. Me dinamikën që kemi besoj që ka një vetëdijesim për procesin zgjedhor”, ka deklaruar Halimi.

Ai ka thënë se komisionerët janë të informuar për përgjegjësitë e tyre dhe palët e tjera në procesin zgjedhor.

I pyetur për planin në raport me Policinë e Kosovës, bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit në ditën e zgjedhjeve, Halimi, ka thënë se kanë pasur një takim të sigurisë, ku secili kanë treguar si do të veprojnë dhe janë, dakorduar të mbajnë edhe një takim para ditës së zgjedhjeve.

Ndër të tjera, Halimi ka thënë se dje është bërë dërgesa e fundit nga diaspora, ku janë 4 100 dërgesa.

KQZ-ja ka përcaktuar ekipet mobile të cilat në ditën e zgjedhjeve, më 6 tetor do të mundësojnë votimin e personave me nevoja te veçanta të cilat nuk mund të dalin në vendvotim. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për vitin 2018 kanë…