KQZ-ja gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare sapo të përfundojë shqyrtimi i ankesave.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se KQZ-ja është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes së institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Sipas tij, fillimisht duhet të vlerësohet nëse vendimet që do të merren përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në.
“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka theksuar se nëse vendimet nuk përmbajnë detyrime të tilla, KQZ-ja është e gatshme të shpallë menjëherë rezultatet përfundimtare sapo ato të marrin formë të prerë.
“Nëse s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpallë rezultatet përfundimtare”, ka thënë ai.
Elezi ka rikujtuar se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, pasi subjektet dhe palët e interesuara kanë të drejtë ankese edhe ndaj këtyre rezultateve.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve”, ka shtuar ai.



