KQZ-ja hap rrugën për largimin e kryetarëve në veri, votimi mbahet më 21 prill

08 mars 2024 | 14:45

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar të premten rekomandimin e sekretariatit të këtij institucioni që votimi për shkarkimin e katër kryetarëve në veri të mbahet më 21 prill të këtij viti.

Rekomandimi është miratuar më 8 vota pro dhe dy abstenime. Në këtë mbledhje kanë abstenuar dy përfaqësuesit e PDK-së. “Më 8 vota për, dy abstenime, miratohet data për mbajtjen e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve më datë 21 prill 2024”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Këtë datë për mbajtjen e votimit e ka propozuar kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Para anëtarëve të KQZ-së, ai ka treguar për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura nga katër grupet nismëtare në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe të dorëzuara në KQZ nga kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave.

Në adresimin e tij, ai ka treguar se peticioni në katër komunat përmbush kushtet ligjore. “Nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3 030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 2 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 13 441 votues, ndërsa 2 689 votues përbëjnë 20 për qind të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20 për qind të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai, duke treguar edhe peticioni i në Zubin Potok është në rregull.

“Nga peticioni i organizuar në komunën e Zubin Potokut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1 576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 6 732 votues, ndërsa 1 347 votues përbëjnë 20 për qind të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20 për qind të votuesve në këtë komunë”, është shprehur ai.

Sipas tij, as në peticionin e organizuar në Zveçan nuk është bërë ndonjë shkelej. “Nga peticioni i organizuar në komunën e Zveçanit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1 834 nënshkrime të plotësuara në 185 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1 714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 7 052 votues, ndërsa 1 411 votues përbëjnë 20 për qind të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20 për qind të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe me peticionin në Mitrovicë të Veriut ka qenë gjithçka në rregull.

“Nga peticioni i organizuar në Komunën e Mitrovicës së Veriut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 4 148 nënshkrime të plotësuara në 423 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 3 653 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 18 199 votues, ndërsa 3 640 votues përbëjnë 20 për qind të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20 për qind ë votuesve në këtë komunë”, është shprehur Ahmetaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje e ka vizituar ambasadën…