Krahas punës në Graçanicë, punëtorët mësojnë shqip dhe serbisht

17 nëntor 2021 | 12:10

Drilon Maliqi është shef i prodhimit në fabrikën “Valimpex” në Çagllavicë, Komuna e Graçanicës. Kjo komunë, me popullsi shumicë serbe, ndodhet jo shumë larg kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës.

Fabrika, ndër të tjera, merret me prodhimin e folieve të kuzhinës. Ka rreth 30 punëtorë, por në prodhim janë të punësuar vetëm serbë nga fshatrat e Komunës së Graçanicës.

Gjithsej janë shtatë dhe një prej tyre është Nemanja Gjorgjeviq, 24 vjeç. Ai ka filluar të punojë në “Valimpex” pesë vjet më parë, gati menjëherë pasi ka mbaruar shkollën e mesme.

Ai ka thënë se është i kënaqur që ka një punë dhe se puna në prodhim nuk është e vështirë.

“Nuk e shoh veten duke punuar në kafene. Më mirë kështu. Po, punoj te shqiptarët, por të gjithë njerëz jemi. Rëndësi ka të kesh një punë, të punosh, të mbijetosh”, ka thënë Nemanja për “Radion Evropa e Lirë”.

Ai ka mësuar edhe bazat e gjuhës shqipe, kështu që mund të komunikojë pa problem me kolegët shqiptarë.

“Pak nga pak kam mësuar. Jo gjithçka, por të kuptohemi”, ka thënë Nemanja, me të cilin “Radio Evropa e Lirë” ka biseduar në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e cila shënohet çdo 16 nëntor.

Komuna e Graçanicës është njëra nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe që nuk kanë lidhje gjeografikisht. Katër komunat e lidhura territorialisht janë në veri të Kosovës.

Çështja e pozitës së komunitetit serb është temë e negociatave që zhvillojnë Kosova dhe Serbia tash e dhjetë vjet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Një nga çështjet që po bllokon procesin e negociatave është mosformimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi insiston në krijimin e tij, ndërsa Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.

Larg zyrave dhe sallave të konferencave, ku zhvillohen negociatat, vitet kalojnë për qytetarët e të dyja kombësive.

Shefi i Nemanjës është shqiptari Drilon Maliqi, i cili flet dhe kupton pak gjuhën serbe. Ai ka thënë se nuk e kanë asnjë problem në komunikim.

I pyetur se çfarë gjuhe përdorin kur flasin, Driloni ka thënë: “Gjysë, gjysë – pak ashtu, pak kështu”, duke aluduar se në komunikim përdorin edhe shqipen, edhe serbishten.

Nemanja ka thënë se punëtorët e fabrikës “Valimpex”, shqiptarë dhe serbë, shoqërohen edhe jashtë punës.

“Ka kolegë që punojnë edhe në transport. Dalim shpesh për kafe apo birra dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme. Shkojmë me ta edhe në festën e Vitit të Ri”, ka thënë Nemanja.

Për pronarin e fabrikës, Memli Dushi, më e rëndësishme është që puna të kryhet në kohë, e jo kombësia e punëtorit.

Në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka thënë se punëtorët i ka kërkuar edhe përmes reklamave në radion lokale në Graçanicë, sepse ka dashur të punësojë vendas.

Fabrika “Valimpex” është hapur në vitin 1994 si biznes familjar në Prishtinë.

Më pas, në vitin 2015, ajo është shpërngulur në Çagllavicë. Serbët e punësuar në këtë fabrikë, kryesisht vijnë nga fshati fqinj, Llapna Sella.

“Ka qenë në interesin tonë që të kemi punëtorë vendas, së pari për shkak të transportit. Të sjellim punëtorë nga Prishtina, do të ishte kosto për ne. Dhe, djemtë që punojnë këtu, e kanë mirë, ata janë afër (punës). Gjatë verës vijnë me biçikletë në punë”, ka thënë Dushi.

Përveç folieve të aluminit dhe vetëngjitëse, “Valimpex” prodhon edhe letër për pjekje, qese për ngrirje, si dhe ambalazhe për ushqime.

Çdo vit, fabrika prodhon më shumë se një ton folie të markës “Sharm”, ndërsa pronari i fabrikës thotë se nuk kanë probleme me nxjerrjen e saj në tregun kosovar.

Ai ka thënë se ka në plan zhvillimin e eksportit.

“Fokusi ynë është tek eksportet. Tani për tani nuk eksportojmë shumë dhe synimi ynë është që fillimisht të depërtojmë në tregun e vendeve të rajonit. Kemi edhe një strategji për vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Dushi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Michail Antonio shënoi një gol mahnitës nga distanca të martën…