Krasniqi ambasadorit Rohde: Kosova do të jetë vendi me kushte më të favorshme për çdo investitor

05 tetor 2020 | 14:37

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur në takim të hënë ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë,  Joern Rohde, me të cilin kanë biseduar për zhvillimin ekonomik, importin e produkteve gjermane, investimet dhe diasporën.

Ministri ka vlerësuar lartë mbështetjen që shtetit gjerman i ka dhënë Kosovës në periudha të ndryshme kohore nga ato më të vështirat e deri sot për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Një falënderim të veçantë e ka shteti gjerman për trajtimin që ua bënë qytetarëve të Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani”, ka thënë ministri.

Ministri po ashtu ka potencuar faktin se Gjermani është në mesin e tri shteteve të para nga ku Kosova importon mallra.

Sa i përket nevojës për më shumë investitorë nga Gjermania, ministri i ka shpjeguar ligjin për investime strategjike dhe plotësim ndryshimet që pritet të finalizohen. “Me ndryshimet që do të behën në ligjin për investime strategjike, Kosova do të jetë vendi me kushte më të favorshme për çdo investitor”, ka deklaruar ministri Krasniqi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë,  Joern Rohde, në diskutimet për fushën e ekonomisë ka thënë se do të ishte më i kënaqur sikur edhe eksporti i produkteve nga Kosova drejt Gjermanisë të jetë më i madh.

Sa i përket remitancave nga mërgata shqiptare, që punojnë në Gjermani, ambasadori ka thënë se do të ishte mirë që ato të shndërrohen në investime.

Duke folur për ndikimin e pandemisë COVID – 19, ambasadori Rohde është interesuar për paketën e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbje ekonomike. Më tej, ai shfaqi shpresën e tij se Qeveria e Kosovës do të gjejë një kompromis me opozitën, në mënyrë që Kuvendi të mund ta miratojë draftligjin në seancën e radhës.

(A.M / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarët e Bashkive të Shqipërisë janë pritur sot në takim…