Krasniqi i shkon Osmanit në takim për t’ia përsëritur se s’ka shumicë për qeveri
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pasditen e sotme është takuar me presidenten Vjosa Osmani. Kështu ka bërë me dije zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Ai ka thënë se Krasniqi e ka përsëritur qëndrimin e PDK-së se në Kuvend nuk ka shumicë për formimin e një qeverie të re.
Sipas PDK-së “çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”.
“Po, sot pasdite, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka thënë Abdullahu për “Express”.



