Osmani mandaton Konjufcën për formimin e qeverisë

04 nëntor 2025 | 19:49

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.

Në një konferencë për media, Osmani tha se sot zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar.

Ajo tha se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.

Sipas Osmanit, në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nëse pas dy tentimeve nuk zgjidhet Qeveria e Kosovës, “atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëhen çdo përpjekje të mundshme që të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në të mirë të qytetarëve”, tha Osmani, duke përmendur votimin e zgjatjeve buxhetore apo edhe të një buxheti të ri për vitin 2026, të ratifikohen marrëveshje ndërkombëtare.

“Si presidente kam vlerësuar se është në interes të Kosovës të provohet, të krijohet Qeveria, që këto vendime të mos presin edhe disa muaj të tjerë”, tha Osmani.

Osmani tha se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkaq tha se garanci nuk i ka dhënë sepse nuk kërkohet me Kushtetutë.

Nëse do të kishte dy kandidatë, Osmani tha se asaj do t’i duhej të bindej se kush nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit.

“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka komentuar deklaratën e…