Krasniqi takon Ballën: Kosova ka çka të përfitojë nga përvoja e Shqipërisë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kosova ka çka të përfitojë nga përvoja e Shqipërisë.
Ai ka vlerësuar se koordinimi institucional në mes të dy vendeve duhet të avancojë në nivele më të larta.
Postimi i plotë I Krasniqit:
Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nënkryetarët e partisë Vlora Çitaku e Uran Ismaili dhe sekretarin e përgjithshëm Bajrush Xhemaili, sot takova edhe udhëheqësin e shumicës parlamentare ne Shqipëri, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në frymën e një bashkëpunimi shumë të mirë, me Taulantin diskutuam për përgjegjësitë tona si politikanë, si Parti Politike dhe si Grupe Parlamentare, që të angazhohemi edhe më tej në përafrimin dhe koordinimin e agjendës shtetërore të dy vendeve tona.
Shqipëria ka bërë një punë të madhe në avancimin e legjislacionit dhe stabilitetit institucional gjatë kësaj periudhe, andaj Kosova ka çka të përfitojë nga përvoja e Shqipërisë.
Raportin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm që kemi pasur me institucionet e Shqipërisë, jemi shumë të përkushtuar dhe të vendosur që ta avancojmë në nivele akoma më të larta.



