Krejt keq!

14 shtator 23:37

Shkruan: Kimete Berisha

1. Kur Angela Merkel vjen në Shqipëri, Vjosa Osmani shkon në Gjermani!
Kjo është metafora e fatit tonë.

Merkel ia dha Vuçiqit komplimentin më të mirë që ekziston e që ky kompliment mund t’u jepet vetem shenjtërive: rrensit më të madh ia dhuroi virtytin e besnikërisë!

Merkel nuk foli për ish-Vuçiqin, por foli për Vuçiqin aktual.
Serbëve u lejohet të jenë Ish-kriminelë, nëse ndërkohë ‘i përmirësojnë’ sjelljet!

Pse Kosova u bë e neveritshme për botën që e çliroi Kosovën?
Si ndodhi kjo dhe pse po ndodh sot?

Nuk ka faj Merkel që neve nuk na merr seriozisht. Pyete Ti veten se cilin Institucion të Kosovës duhet ta marrësh seriozisht?
Cilin ministër?

Kur këta për neve s’janë serioz (shqiptarët po ikin nga ky shtet pa të ardhme), pse Merkel u dashka të shoh të ardhme në Kosovën nga e cila ne ikim për të jetuar në vendin e saj!

Kancelarja Merkel e ka vërejtur se serbët e duan veten (dhe i urrejnë shqiptarët e Kosovës),
ndërsa shqiptarët e urrejnë veten
(e vjedhin buxhetin e shtetit, shkatërrojnë, paragjykojnë, nuk lexojnë libra, nat e ditë i gjen nëpër kafiteri, merren me intriga, nuk dinë, mashtrojnë, të prejnë në besë, të manipulojnë),
dhe nuk e duan askënd
(armikut serb, shqiptarët nuk po i bëjnë as intriga, as nuk po i bëjnë propagandë, as nuk po e vjedhin, as nuk po e shkatërrojnë, as nuk po e paragjykojnë, as nuk po e çojnë në burg armikun serb).

Shqiptarët po e çojnë veten në burg.

Pra: shqiptarët: E urrejnë veten, por nuk e duan askënd!
Kurse serbët: E duan veten, dhe i urrejnë shqiptarët!

2. Presidentja si zakonisht, edhe dje ka qenë tepër nervoz. E ka ajo një sevda të theksuar në nervozë!

Duke folur për shtyrjen e zgjedhjeve, një të dytën herë thoshte:
‘Kam dëgjuar unë fjalë kundra meje’;
‘Kam dëgjuar unë se persona të caktuar kanë thënë kështu e kështu për mua’;
‘Kam dëgjuar unë fjalë se si demek po ia mbaj anën Vetëvendosjes’!

Nuk ke dëgjuar fjalë nëpër korridore e nëpër sokak oj zonjë, por ke lexuar shkrime konkrete, jo nga persona të caktuar, por nga gazetarë me emër e mbiemër.

Pse po e krijon atmosferën thuajse punon në shërbim informativ, ku krejt i merr vesh, Ti, e para!

E ka mërzi kritikën, i urren kundërshtarët, e urren fjalën e lirë dhe sillet si e dyshimtë, thuajse
Ne jemi munduar tinëz saj të shkruajmë për të, por kjo na ka zbuluar, se i ka treguar dikush, ka dëgjuar fjalë ajo…asaj asgjë nuk i shpëton pa e hetuar!

Nuk je detektive, por je Presidente, s’di pse veç Presidentja ende nuk është e bindur se është Presidente.

Vjosa Osmani nuk e meriton të jetë Presidente, jo pse anon kah Vetëvendosja, por sepse ka probleme me zemërimin.

Zemërimi (mllefi) është armiku më i madh, të bën nevrike, skandaloze, e ‘shtirë dhe e paparashikueshme!
Të bën që njerëzit të frikësohen dhe të ikin prej teje!

3. Edhe Albin Kurti (si Vjosa Osmani) vazhdimisht sillet sikur po lufton për ta marrë pushtetin, të cilin e ka.
Për dallim nga Vjosa Osmani, Albin Kurti është i kompozuar dhe e menaxhon mllefin!

Tjetër gjë që tingëllon si gramafon i shekullit të kaluar, pra fjalët e tij nuk kanë lidhje me realitetin, as në kohë, as në hapësirë!

Për shembull: Flet për reciprocitet me Serbinë, kurse në të njejtën kohë ia heq Serbisë edhe taksën për tullat!

4. Ti a përnjëmend po kujton se shqiptarët i kanë lënë mendtë?

Ti a vërtetë mendon se ka dashuri të pakushtëzuar, se i ke privatizuat votuesit, dhe i ke bërë për vete përgjithmonë!

Ti mendon se premtimi është monedhë me të cilin blen vota!

Ti ende nuk e di se shumë veta janë penduar që të kanë votuar!

Njeriu i vë vetes kushte, jo nuk po të vë kushte Ty!
Njeriu nuk ia fal gabimin vetes-Jo po ta fal Ty!
Njeriu nuk ia fal tradhtinë vetes-Jo Ty!
Njeriu zemërohet me veten- jo s’po zemërohet me Ty!
Njeriu ia merr inat vetes-Jo s’po ta merr inat Ty!

Shqiptarëve u ke premtuar lumturi.
U ke premtuar punë dhe zhdukje të varfërisë.
E tash shqiptarët po të shohin duke i punësuar familjarët dhe jaranat e ministrave.

5. Unë s’jam kundër që Kryeministri Kurti të jetë i suksesshëm, Zoti na ruajt, por jam e sigurt se lëre që s’do të jetë i suksesshëm, por do të jetë i urryer.

Do të jetë i urryer, sepse i ka mashtruar votuesit me dashuri, me besnikëri, me ëndrra.
Pra, virtytet më të larta që ekzistojnë i ka shfrytëzuar si mjete të manipulimit.
Prandaj do të jetë i urryer.

Mjafton të dish shkrim-lexim për ta kuptuar se Kryeministri nuk e bën atë që e thotë, dhe nuk e thotë atë që e bën!

P.S.
Nuk ka të ardhme një vend ku ministër i shëndetësisë është Arben Vitia!
Dhe nuk ka Drejtësi një vend që nuk e nis procedurën për hetim ndaj tij.
Arben Vitia e ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe e ka shfrytëzuar vdekjen për vota!

Ka vallëzuar mbi varre!

Dhe, nëse ka shqiptarë që e shpërblejnë me vota për kasaphanen e tij me pandeminë, kjo tregon më së miri pse Merkel na sheh veç si ‘pacientë’…

‘Kno o zogu i malit
se sot jam merzitë’…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrit të Haitit, Ariel Henry i është ndaluar të largohet…