Kritiku i Putinit, arrestohet pak minuta pas lirimit

24 shtator 2018 | 15:36

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, është arrestuar sërish, vetëm pak minuta pasi ka përfunduar dënimin prej 30 ditësh burgim në Moskë, kanë bërë me dije kolegët e tij.

Navalny është duke u akuzuar për shkelje të ligjit të protestës dhe përballet me 20 ditë në burg ose gjobë.

Dënimi që Navalny sapo ka përfunduar, ka qenë për planifikimin e një proteste të paautorizuar antiqeveritare, në janar.

Navalny, 42 vjeç, prej kohësh është fytyra më e shquar e opozitës ruse ndaj presidentit Vladimir Putin.

Në javët e fundit, ai ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionimit në Rusi – një reformë kjo e papëlqyeshme që ka rritur pakënaqësitë me autoritetet.

Navalny e ka cilësuar partinë e Putinit si vend të “mashtruesve dhe vjedhësve”, e ka akuzuar sistemin e presidentit për, siç ka thënë, “thithjen e gjakut nga Rusia” dhe është zotuar për shkatërrimin e “shtetit feudal” që po ndërtohet. Kremlini i ka mohuar këto akuza. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN) prej 1 gushti…