Kryediplomati iranian thotë se ShBA-ja ka kërkuar bisedime të reja rreth luftës

28 prill 2026 | 08:18

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se vendi i tij “po i bën ballë superfuqisë më të mëdha në botë”, duke iu referuar konfliktit me Shtetet e Bashkuara.

Sipas kryediplomatit iranian, Uashingtoni “nuk ka arritur as edhe një prej qëllimeve të veta”, raporton televizioni BBC.

Duke folur para gazetarëve gjatë një vizite në Shën Petersburg të Rusisë, Araghchi tha: “Për këtë arsye, ata kanë kërkuar bisedime dhe ne po e shqyrtojmë këtë [kërkesë”.

Më tej, ministri iranian tha se lufta ka treguar se Irani “ka miq dhe aleatë të mëdhenj si Rusia” dhe e falënderoi Kremlinin për mbështetjen.

Araghchi tha se marrëdhëniet mes Moskës dhe Teheranit paraqesin një “partneritet strategjik” që “do të vazhdojë të fuqizohet”.

Pjesë e delegacionit iranian në Rusi, i pritur nga presidenti rus, Vladimir Putin, janë edhe zëvendësministri i Jashtëm, Kazem Gharibabadi, dhe ambasadori iranian në Moskë, Kazem Jalali.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është e gatshme që të ofrojë shërbime të “mirëbesimit ose ndërmjetësimit që janë të pranueshme për të dyja palët” në bisedimet që mund të mbahen në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një superjaht luksoz i lidhur me miliarderin rus Alexei Mordashov…