Kryeministri Kurti pritet nga Presidenti i Francës, Macron
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée.
Kryeministri Kurti tha se Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë.
“Biseduam për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin tonë euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti shprehu gjithashtu vlerësimin për nismën e Presidentit Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë.
Ko çështje ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris këtë vit, ku Republika e Kosovës iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve për mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.
Kryeministri Kurti shtoi se Kosova dhe Franca do të vazhdojnë të punojnë së bashku për paqe, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.



