Kryeministri Kurti takon Borrellin dhe Lajçakun: Djegia e veturave në veri është krim

03 nëntor 2022 | 10:25

Kryeministri Albin Kurti, para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe Emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kurti tha se me Borrellin dhe Lajçakun ka diskutuar për kornizën e marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendimin e fundit të qeverisë për targat dhe çështje të tjera.

Ai deklaroi po ashtu se djegia e veturave, me targa RKS, në veri është krim që duhet të dënohet nga të gjithë.

“Përpara samitit të sotëm të Procesit të Berlinit, që është i përvitshëm, u takova me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për të diskutuar Marrëveshjen Kornizë të përqendruar në njohjen reciproke dhe çështje të tjera. Plaçkitja dhe djegia e veturave në veri të Kosovës është krim dhe duhet dënuar nga të gjithë”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti e përfaqëson Kosovën në Samitin e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor që mbahet sot në kryeqendrën gjermane.

Në këtë takim mungon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë kryeministrja, Ana Bërnabiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike,…