Kryeministri Kurti pret në takim shoqërinë e ngushtë të Lëvizjes Studentore të ’97-s dhe disa profesorë të vet

06 shkurt 2020 | 20:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim shoqërinë e profesorët e tij të kohës së studimeve.

“Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Ahmet Geca, Hajrullah Koliqi, Milot Cakaj, Mihane Salihu, Jeton Rexha, Naim Havolli, Ernest Luma e Fatban Bunjaku më uruan e nderuan me vizitën që ma bënë. Me ta kemi kaluar shumë sfida. Prej vështirsisë së literaturës për studime e provime, deri tek organizimi i protestës së 1 Tetorit 1997 dhe të tjerave më pas”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kryeministri Kurti ka thënë se kanë ndarë shumë gjëra bashkë, kurse sot kanë një dëshirë të përbashkët: zhvillimin dhe forcimin e vendit tonë.

“Janë 342 profesorë e studentë të cilët janë dëshmorë e martirë të luftës së fundit çlrimitare. Profesori Hajrullah Koliqi propozoi një Lapidar i cili do t’i nderonte ata. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do t’i marrë hapat e nevojshëm që kjo kërkesë të jetësohet në këtë vit”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se në këtë muaj, më 15 shkurt, Universiteti i Prishtinës (UP) shënon 50-vjetorin e themelimit.

Sipas tij, aktivitetet e UP-së janë paraparë nga 10 shkurti deri më 15 shkurt.

“Brenda këtyre pesë ditëve, çdo ditë do të jetë e mbushur me aktivitete që të nderohet ky institucion i cili i dha shumë vendit, por që potenciali i tij është edhe më i madh se tani. E, ky institucion nuk do të ishte i tillë pa pjesëmarrjen e rektorit, Prof. Ejup Statovcit. Në këtë vit, më 16 prill, prof. Statovcit do t’i shënohet 80 vjetori i lindjes e ne si institucion e kemi për obligim që ta nderojmë ashtu siç ai e meriton. Kur tek ne shihet diçka e mirë nuk është meritë e jona sa është meritë e prof. Statovcit. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta”.

“Dija e mësimi edukativ do të jenë prioritet i Qeverisë sonë. Leximi e shkenca në njëren anë duhet të thellohen por edhe të kompletohen me kulturën e artin në anën tjetër”, ka shkruar kryeministri Kurti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, që përballet me fushatë për rizgjedhje…