Kryeministri letonez pro dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë

06 mars 2023 | 15:45

Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, tha se është në favor të furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë.

Kështu i ka thënë ai gazetës gjermane, “Der Spiegel”, duke shtuar “nuk e di pse vendet perëndimore nuk duhet t’i dorëzojnë Ukrainës avionë luftarakë”.

“Nëse ukrainasit kanë nevojë për avionë luftarakë, duhet t’i marrin ata”, ka thënë ai.

Sipas tij, “dorëzimi i avionëve luftarakë është vetëm çështje kohe”. Gjatë vizitës së tij në Parlamentin britanik më 8 janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.

“Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme – avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë”, ka thënë ai.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë shprehur kundër kësaj kërkese. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë. Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ShBA-ja nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë, raporton “Rel”.

Por, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte. Në janar, Gjermania u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet. Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet që këtë muaj të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar lokalet në sektorin e gastronomisë…