Kryeministri malazez vjen sot në Kosovë

14 shkurt 2018 | 08:22

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, sot do të vijë për një vizitë dyditore në Kosovë.

Markoviq, do të vijë në orën 16:00 në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Ai do të pritet në aeroport nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Skender Durmishi.

Më pas, kryeministrit malazez i është rezervuar pritja me nderime shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan “Epoka e re”.

Pas takimit është paraparë të mbahet një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave.

Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, kryeministri i Malit të Zi do të pritet në takime të ndara nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, është mirëpritur dhe është vlerësuar pozitivisht nga liderët shtetërorë dhe analistët politikë. Sipas tyre, ardhja e Markoviqit mund t’i kontribuojë zgjidhjes së çështjes së demarkacionit në mes të dy vendeve.

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka uruar që vizita e kryeministrit malazez të jetë shenjë e kultivimit të marrëdhënieve më të mira fqinjësore. Ai ka shprehur optimizëm se kjo vizitë mund t’i kontribuojë zgjidhjes së çështjes së demarkacionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati,…