Kryeministrja finlandeze: Vendimi për NATO do të përqendrohet në sigurinë e qytetarëve

11 maj 2022 | 14:55

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka thënë se nëse shteti i saj ndërmerr hapin historik për të aplikuar për anëtarësim në NATO, kjo do të bëhej për sigurinë e qytetarëve të saj dhe po ashtu do të forconte komunitetin ndërkombëtar.

Marini i ka bërë këto deklarata të mërkurën pas një takimi me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, në Tokio, një ditë para se presidenti finlandez, Sauli Niinisto, të kumtojë vendimin nëse shteti i tij, që kufizohet me Rusinë, do të aplikojë për anëtarësim në NATO.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të mendojnë për aplikim për anëtarësim në NATO, duke braktisur besimin e mbajtur me dekada se paqja mbahet duke mos mbajtur publikisht anë. Të dy shtetet kanë marrë pjesë për vite me radhë në stërvitjet e aleancës ushtarake.

“I tregova kryeministrit Kishida për planet tona për mundësinë e aplikimit në NATO”.

“Nëse Finlanda ndërmerr këtë hap historik do të jetë për sigurinë e qytetarëve të saj. Anëtarësimi në NATO do të forconte të gjithë komunitetin ndërkombëtar me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta”, ka thënë Marini gjatë konferencës për media në Tokio, raporton “Rel”.

Ajo ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë haptazi shkelin ligjin ndërkombëtar dhe kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Mizoritë kundër civilëve po vazhdojnë”, ka thënë ajo.

Rusia ka mohuar se forcat e saj kryejnë krime kundër civilëve në Ukrainë, qëkur Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj më 24 shkurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur anëtarin nga komuniteti joshumicë Birol…