Kryeparlamentari Veseli: Shkëmbimi i territoreve nuk është opsion

21 tetor 2018 | 15:02

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve gjermane, “DPA” ka thënë se shpreson që pas tërheqjes së Bundeswherit gjerman nga Kampi më i madh i kësaj ushtrie në Prizren, në këtë qytet do të vijnë investitorë nga firmat gjermane.

“Caku im është që sa më shumë firma gjermane të vijnë në Kosovë dhe sa më pak kosovarë ta lëshojnë vendin. Për neve është e rëndësishme që të hapen vende pune në mënyrë që njerëzit tanë të qëndrojnë në vend“, ka thënë Veseli.

Kampi i deritashëm i Bundeswehrit është mbyllur pas 20 vitesh dhe në vend të tij po hapet Parku i Inovacionit dhe Mësimit Profesional. Gjermania është duke e përkrahur këtë projekt.

Veseli ka qëndruar të enjten në Berlin ku mes tjerash është takuar edhe me kryertarin e Bundestagut, Wolfgang Schauble. “Ne shpresojmë që investitorët gjermane në Prizren do të shtohen dhe jo vetëm aty por në tërë vendin tonë“, ka deklaruar Veseli.

“Kosova është një vend i vogël por strategjikisht e pozicionuar mirë: vetëm dy orë larg Adriatikut dhe vetëm dy orë gjysmë larg Portit të Selanikut në Greqi”, ka shtuar Veseli.

Ai ka thënë se Kosova synon që në Ballkan të jetë vendi më atraktiv për investitorët.

Po ashtu, Veseli ka paralajmëruar heqjen e pengesave burokratike dhe lehtësimet tatimore për investitorët e huaj.

Më tutje, Veseli ka folur për zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe marrëdhëniet me Greqinë fqinje, që sipas tij janë të rëndësishme edhe për Kosovën.

Ndërsa, sa i përket Serbisë, Veseli e ka ftuar atë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Veseli ka kundërshtuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, duke thënë se “shkëmbimi i territoreve nuk është opsion”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një përmbysje e trenit në verilindje të Tajvanit, ka rezultuar…