Kryesia e LDK-së nuk kishte ilaç për ndaljen e rënies

26 shkurt 2021 | 23:28

Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka thënë se rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit nuk e kanë pritur as skeptikët më të mëdhenj brenda partisë.

Ai ka treguar se në këtë rënie kanë ndikuar disa faktorë. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Ferati ka thënë se kryesia e LDK-së asnjëherë nuk e ka pasur ilaçin e ndaljes së trendit të rënies së LDK-së.

“Në këtë rezultat mendoj se ka ndikuar shumëçka. Rënia e rejtingut të LDK-së nuk është e muajve të fundit. Ajo ka filluar më herët. Në parti nuk kanë pasur një analizë se çfarë po ndodh dhe cilat veprime duhet të bëhen për ta ndalur trendin e rënies. Pavarësisht prej veprimeve të arsyeshme politike, ky është edhe perceptim. Siç po shihet, kryesia e LDK-së nuk e ka pasur asnjëherë ilaçin se si të ndalet trendi i rënies së votës së LDK-së”, ka thënë Ferati.

Ai ka thënë se kjo parti tani është para dy dilemave. “Ka mendime të ndara në parti. Fillimisht të bëhet ndryshimi i kryesisë, pastaj kryesia e re të dalë me politika apo të shkohet në zgjedhje të reja të brendshme”, është shprehur ai. Sipas Feratit, rruga më e mirë do të ishte zgjedhjet e reja brenda partiake.

“Dëshira e të gjithëve është që të shkohet në një reformë më të thellë por, para se të ndodhë kjo, duhet të ketë një analizë. Në këtë gjendje të lëvizjes së elektoratit së pari duhet të evidentohet elektorati, sepse tani nuk je i sigurt se kush do të marrë pjesë në zgjedhje nëpër degë e nëndegë. Pra, e dëshirueshme është që të ndodhë reforma e plotë, megjithatë në këtë gjendje ka dilema”, ka deklaruar ai.

Ferati ka folur edhe për ndikimin e Vjosa Osmanit në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai ka bërë me dije se më herët ka pasur mundësi që kryesia e LDK-së dhe Vjosa Osmani ta gjejnë një gjuhë të përbashkët.

“Me fajin apo pa fajin e LDK-së dëmi nga largimi i saj është i madh. Vjosa nuk ka dalë vetëm, por ka dalë me një pjesë të elektoratit. Ne nuk mund ta masim se sa elektorat ka shkuar pas saj, por rezultati prej 13-përqindësh të bën të besosh se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit ka pasur simpati dhe ka shkuar pas Vjosës në listën e LV-së. Në këtë drejtim, mendoj se më herët ka pasur vend që të ketë një qëndrim më ndryshe të kryesisë e cila do ta ndryshonte qëndrimin dhe sjelljen e Vjosës dhe nuk do të kishte ardhur gjendja deri këtu. Definitivisht kjo është një pasojë”, ka thënë Ferati.

“Epoka e re”: Z. Ferati, në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK-ja ka shënuar rezultat shumë të dobët. Pse?
Ferati: Rezultati përfundimtar është shumë më i ulët sesa kemi pritur dhe parashikuar. Edhe skeptikët më të mëdhenj brenda LDK-së nuk e kanë paraparë këtë rezultat. Pra, rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit është tepër i ulët dhe jashtë çdo analize që kemi pasur.

“Epoka e re”: Çfarë ka ndikuar në këtë rezultat?
Ferati: Në këtë rezultat mendoj se ka ndikuar shumëçka. Rënia e rejtingut të LDK-së nuk është e muajve të fundit. Ajo ka filluar më herët. Në parti nuk kanë pasur një analizë se çfarë po ndodh dhe cilat veprime duhet të bëhen për ta ndalur trendin e rënies. Pavarësisht prej veprimeve të arsyeshme politike, ky është edhe perceptim. Siç po shihet, kryesia e LDK-së nuk e ka pasur asnjëherë ilaçin se si të ndalet trendi i rënies së votës së LDK-së. Së dyti, menaxhimi jo i mirë i zgjedhjeve të brendshme e ka lënduar procesin zgjedhor, ku disa prej degëve i ka dobësuar tepër shumë. Së fundi, edhe çështja e adresimit me kuadro nuk ka qenë shumë adekuate.

“Epoka e re”: Cila duhet të jetë përgjigjja e LDK-së ndaj këtij rezultati?
Ferati: Tanimë veç e kemi një përgjigje. Kryetari ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje. Tani pritja është nëse do të shkohet me ndryshime dhe reforma vetëm në kryesi dhe pastaj të shkohet ngadalë nëpër degë apo të shkohet me një proces të reformimit të thellë, pra në zgjedhje të reja.

“Epoka e re”: Sipas jush, cila do të ishte rruga më e mirë?
Ferati: Më shumë jam ithtar i asaj që të shkohet komplet në zgjedhje të reja. Mirëpo, siç po shihet, një proces i tillë nuk do të jetë i lehtë për faktin se zgjedhjet lokale i kemi afër. Pra, ka mendime të ndara në parti që fillimisht të bëhet ndryshimi i kryesisë dhe pastaj kryesia e re të dalë me politika apo të shkohet në zgjedhje të reja të brendshme. Si njëra rrugë ashtu edhe tjetra mund të jenë paralajmërim i ndryshimeve. Pastaj duhet të ketë një komunikim më të qartë edhe si opozitë, sepse edhe roli opozitar tregon një aftësi të caktuar. Pra, edhe kur je në pushtet dhe kur je në opozitë duhet t’i demonstrosh aftësitë e caktuara dhe duhet të kesh komunikim me qytetarët.

“Epoka e re”: Meqenëse jeni për reforma më të thella, shpallja e zgjedhjeve të brendshme, sa do ta ndihmonte LDK-në për zgjedhjet lokale?
Ferati: Dëshira e të gjithëve është që të shkohet në një reformë më të thellë por, para se të ndodhë kjo, duhet të ketë një analizë. Në këtë gjendje të lëvizjes së elektoratit së pari duhet të evidentohet elektorati, sepse tani nuk je i sigurt se kush do të marrë pjesë në zgjedhje nëpër degë e nëndegë. Pra, e dëshirueshme është që të ndodhë reforma e plotë, megjithatë në këtë gjendje ka dilema.

“Epoka e re”: Nëse do të ketë zgjedhje të reja brenda LDK-së, a do t’i hyni ju garës për kryetar të degës?
Ferati: Nuk po them se unë do të hyj në këtë proces, por gjithsesi nuk do të jem indiferent. Pra, sigurisht se ndihmën time do ta jap.

“Epoka e re”: Ndikim të madh në këtë rënie të LDK-së po shihet se ka pasur edhe largimi i Vjosa Osmanit. Mendoni se kryesia e LDK-së gaboi me sjelljen ndaj saj?
Ferati: Mendoj se para se të ndodhte ftohja e raporteve, ka pasur vend që të ulen dhe të hapin një debat të brendshëm, pra ku do të dëgjohej zëri i secilit.
Me fajin apo pa fajin e LDK-së dëmi nga largimi i saj është i madh. Vjosa nuk ka dalë vetëm, por ka dalë me një pjesë të elektoratit. Ne nuk mund ta masim se sa elektorat ka shkuar pas saj, por rezultati prej 13-përqindësh të bën të besosh se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit ka pasur simpati dhe ka shkuar pas Vjosës në listën e LV-së. Në këtë drejtim mendoj se më herët ka pasur vend që të ketë një qëndrim më ndryshe të kryesisë e cila do ta ndryshonte qëndrimin dhe sjelljen e Vjosës dhe nuk do të kishte ardhur gjendja deri këtu. Definitivisht kjo është një pasojë.

“Epoka e re”: Pas paralajmërimit për dorëheqje të Isa Mustafës, kemi parë shumë zyrtarë të LDK-së që kanë shprehur ambicie për të qenë kandidat për kryetar të LDK-së. Si i keni parë këto veprime?
Ferati: Këto pretendime janë normale. Është e natyrshme të kemi disa pretendime në një proces demokratik brendapartiak. Madje mendoj se edhe në të kaluarën është dashur të lejohen më shumë kandidatura për postin e kryetarit. Vetë fakti se në të dyja herët e fundit kryetari është zgjedhur pothuajse me aklamacion, kjo ka treguar një dobësi të sistemit, apo frikësim nga vota e fshehtë ose një demonstrim të dominimit i cili për mua nuk është në rregull.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rrahje ka ndodhur në lagjen “Te Qafa” në Prishtinë.…