Kryesuesi i bordit të ZRrE-së arsyeton propozimin për shtrenjtimin e rrymës: Kemi qenë të obliguar

25 janar 2022 | 12:06

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës ka shkaktuar shumë reagime e debat ditëve të fundit. Kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për ta arsyetuar propozimin e këtij institucioni.

Ai ka thënë se e di se çmimet e energjisë elektrike janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve.

Fejzullahu ka theksuar faktin se kriza energjetike e ka përfshirë gjithë Evropën, duke shtuar se ka qenë e domosdoshme që ZRRE-ja ta shqyrtojë në mënyrë të jashtëzakonshme ndryshimin e tarifave.

Duke përmendur çmimet e larta të importit të cilat i ka quajtur të pamundura për t’u përballuar, Fejzullahu ka thënë se situata është bërë e rëndë. Ai e ka theksuar edhe prishjen në termocentralin Kosova B në dhjetor, i cili i ka shkaktuar miliona euro shpenzime për energjinë e importuar.

“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut.  Prandaj ZRRE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Fejzullahu ka thënë se në Kosovë është menduar se mund të prodhojmë vetë rrymë për nevojat tona, por që kjo s’është e vërtetë viteve të fundit.

“Ne gjithë mendojmë që prodhojmë energji për nevojat tona, por në realitet – edhe pse deri tani kemi qenë shumë pak të varur nga importi – që disa vite të fundit, kjo varësi nga importi është rritur”,  ka thënë ai ai.

Si njërën nga arsyet për varësinë nga importi i energjisë elektrike, Fejzullahu e ka përmendur ndryshimin e strukturës tarifore në vitin 2017.

Kryetari i bordit të ZRrE-së ka thënë po ashtu se edhe çmimet aktuale të rrymës mund të jenë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve. Ai tha se ka kërkuar që të mbështeten disa kategori që nuk mund ta paguajnë rrymën.

“Këto çmime, edhe këto ekzistuese për një kategori të konsumatorëve janë të papërballueshme. Ne kemi qenë të zëshëm. Kam kërkuar edhe vitet e kaluara që të mbështeten konsumatorët që janë rastet sociale. Nuk janë vetëm rastet sociale që duhet të mbështeten, por edhe konsumatorët e cenueshëm që nuk e përballojnë faturën e energjisë elektrike”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mesjavë do të zhvillohet xhiroja e 11-të në Ligën…