Kryetari i Kuvendit në Serbi ia ndali mikrofonin Vuçiqit, ky reagoi me nervozizëm dhe u largua nga salla
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandër Çupiq, ia ka ndërprerë mikrofonin ish-presidentit serb dhe aktualisht shefit të grupit parlamentar të opozitës nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandër Vuçiq, pasi ky i fundit i ka tejkaluar dy minutat e lejuara për replikë.
Vuçiq kishte kërkuar fjalën për t’iu përgjigjur nënkryetares së Kuvendit, Sara Valentik, nga Lista Studentore. Mirëpo, pasi Çupiq ia ka fikur mikrofonin, ai është ngritur nga vendi dhe ka dalë nga salla.
Gjatë fjalimit të Vuçiqit, kryeparlamentari fillimisht i ka treguar orën, për t’i sinjalizuar se koha kishte përfunduar, ndërsa më pas ia ka ndërprerë mikrofonin. Në shenjë reagimi, Vuçiq ka duartrokitur në mënyrë ironike.
Çupiq ka shpjeguar se, pas përfundimit të kohës së caktuar, deputetëve u lejohet të përfundojnë fjalinë që kanë nisur, por më pas mikrofoni u ndërpritet. Ai ka theksuar se ky rregull vlen njësoj për të gjithë deputetët.
Vendimi ka shkaktuar reagimin e ashpër të Vuçiqit, i cili ka nisur të bërtasë: “Unë kurrë nuk e kam përfunduar fjalinë”, transmeton “Telegrafi”.
“Ju tani po flisni pa ju dhënë unë fjalën”, i është përgjigjur Çupiq, pas së cilës Vuçiq është larguar nga salla.
Debati ka nisur pasi Valentik ka kërkuar falje për një deklaratë të bërë javën e kaluar ndaj deputetëve të SNS-së. Ajo ka sqaruar se nuk dëshiron t’ia mohojë askujt të drejtën për të shprehur mendimin, por e konsideron të padrejtë praninë në Kuvend të personave që, sipas saj, gjatë 14 viteve të fundit i kanë shkaktuar dëme të mëdha Serbisë.
Vuçiq e ka cilësuar kërkimfaljen e saj si një “manovër të ulët” dhe ka pretenduar se ajo duhej të përjashtohej nga seanca.
Megjithatë, gjatë vazhdimit të mbledhjes, Vuçiq është kthyer në sallë dhe i është bashkuar sërish debatit. Kryeparlamentari Çupiq ia ka ndërprerë mikrofonin edhe disa herë të tjera për shkak të tejkalimit të kohës së lejuar.
Vërejtje ka marrë edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, pasi ka folur pa marrë lejen e kryesuesit të seancës.
Çupiq është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Serbisë javën e kaluar, pas disa ditësh debatesh të tensionuara. Që në atë kohë, ai ka pasur një përplasje verbale me Vuçiqin, të cilit i ka shqiptuar edhe një vërejtje.
Të gjashtë pozitat e nënkryetarëve në përbërjen e re të Kuvendit u janë besuar deputetëve të Listës Studentore.
Në seancën e sotme, deputetët po zgjedhin anëtarët e komisioneve parlamentare dhe delegacioneve të përhershme në institucionet ndërkombëtare. Në fillim të mbledhjes, Vuçiq ka njoftuar se SNS-ja nuk do të marrë pjesë në punën e komisioneve.



