Kryetari i Prizrenit premton siguri më të madhe në shkolla

06 korrik 2022 | 16:48

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka mbajtur të mërkurën takim, ku është diskutuar për çështjet e sigurisë në këtë komunë.

Theks i veçantë iu dha sigurisë në shkolla, me ç’rast Totaj ka thënë se proaktiviteti i institucioneve të sigurisë dhe veprimi në parandalim do të ndikojë në eliminimin dhe zvogëlimin e rasteve të incidenteve.

Vendosja e kamerave jashtë dhe brenda oborreve të shkollave si dhe vendosja e tyre në objekte arsimore ishte çështje që u diskutua për trajtim me prioritet nga aktorët e përfshirë në këto projekte.

Ndriçimi në shkolla ishte, gjithashtu, temë diskutimi, që përfaqësuesit e komunës së Prizrenit deklaruan se janë në përfundim të çështjeve të projektit për ndriçimin adekuat dhe vendosjen e kamerave në shkolla dhe në pjesë të ndryshme të qytetit.

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës kanë bërë me dije se policia, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, patrullojnë vazhdimisht në afërsi të shkollave.

Për parandalimin e incidenteve në shkolla ka pasur shumë programe për nxënësit dhe edukimin e tyre, mirëpo gjatë këtij takimi përfaqësuesit e bashkësive fetare kërkuan që edhe ata të marrin pjesë, të paktën një herë në vit, me klerikët e tyre në tubime me nxënësit.

Me këtë rast u kërkua edhe shtimi i patrullimit të policisë, sidomos gjatë rrugës “Adem Jashari”, ku ka numër të madh të bizneseve dhe koncentrim të argjendarëve.

Totaj ka premtuar se këto çështje do të trajtohen me prioritet si dhe do të zhvillojë takime të tjera me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, sipas nevojës, në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftim nga KEDS-i për punimet në rrjet 08.07.2022 Punime të…