Prokuroria kërkon paraburgim ndaj zyrtarit të Arkivit të Prishtinës, ndalohen 48 prona milionëshe
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit, i pandehuri M.B., gjatë vitit 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.
“Po ashtu, ekziston dyshimi se i pandehuri M.B., me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore për personin tjetër me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, duke mundësuar që prona publike në mënyrë të kundërligjshme të kalojë në emër dhe posedim të personit N.J.”, është thënë në njoftim.
Prokurori i Shtetit, sipas njoftimit, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me qëllim të parandalimit të tjetërsimit apo humbjes së pasurisë që dyshohet se ndërlidhet me veprimtarinë e kundërligjshme, ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet se arrin në miliona euro.



