Rama i reagon Bashës dhe Gashanit: Ndalni gënjeshtrat, mos i rrezikoni Lojërat Mesdhetare
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe ministrit të Sportit, Blerim Gashani, duke thënë se rreziku për mosmbajtjen e Lojërave Mesdhetare 2030 po vjen pikërisht nga Qeveria.
Rama ka thënë se ai vetë ka kërkuar që në organizimin e kësaj ngjarjeje të përfshihen edhe qytetet e tjera të Kosovës, duke mohuar se kjo është çështja për të cilën palët nuk po arrijnë marrëveshje.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po i përdor Lojërat Mesdhetare për, siç është shprehur, “agjendën e tij populiste”.
“Kryeministri Kurti po e përdor këtë ngjarje historike për agjendën e tij populiste, duke nxitur përçarje mes qyteteve dhe duke hedhur akuza për t’iu shmangur përgjegjësisë. Ndërkohë, koha për pagesat, infrastrukturën dhe përmbushjen e obligimeve po kalon. Rreziku për këtë organizim po vjen nga veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë: Mospagesa e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat vetë qeveria ka dhënë garanci. Përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar. Afatet po mbarojnë. Çdo ditë e humbur e rëndon përgjegjësinë dhe e rrezikon këtë mundësi historike”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i përmbushë obligimet e saj.
“Kuvendi meriton dinjitet. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Kosova meriton që fjala e dhënë në emër të saj të mbahet”, ka shkruar Rama.



