Haxhiu: Kuvendi do të jetë pjesë e punës për cilësi më të mirë në shëndetësi

12 nëntor 2026 | 15:15

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë dhe mbajti fjalë në konferencën e parë ndërkombëtare për cilësinë e shërbimeve shëndetësore “Investojmë në cilësi – Ndërtojmë besim”, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në këtë konferencë, profesionistë dhe ekspertë nga Kosova dhe vendet partnere ndanë përvojat e tyre për cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Në fjalën e saj, kryetarja Haxhiu tha se cilësia e shërbimeve shëndetësore ka në qendër pacientin dhe se besimi i tij ndërtohet çdo ditë, përmes mënyrës si dëgjohet dhe si trajtohet, nga vizita e parë te mjeku familjar deri te trajtimet më të ndërlikuara spitalore.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se mjekët dhe infermierët në Kosovë kanë dëshmuar përkushtimin e tyre edhe në periudhat më të vështira për vendin.

“Puna e tyre kërkon aftësim të vazhdueshëm profesional, ndërsa Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë po investojnë në vazhdimësi për kushte më të mira pune. Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025-2030 përcakton synime të qarta për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e qasjes në shërbime. Kuvendi do të jetë pjesë aktive e kësaj pune, në bashkëpunim me Ministrinë, profesionistët dhe përfaqësuesit e pacientëve”, tha Kryetarja Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Drejtorinë…