Kryetari i SBAShK-ut: I kam thënë Avokatit të Popullit se nëse nuk zbatohet Ligji për pagat mund të ketë reagime

05 dhjetor 2019 | 15:37

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk do të zbatohet Ligji për pagat nga ky muaj mund të ketë reagime dhe veprime nga ane e kësaj sindikate.

Jasharaj ka bërë me dije për “Epokën e re” se për këtë çështje e kanë njoftuar edhe Avokatin e Popullit.

“Në takim me Avokatin e Popullit isha bashkë me kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla dhe me kryetaren e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi. E kemi informuar Avokatin e Popullit lidhur me situatën që është krijuar mes anëtarësisë së këtyre tri sindikatave pasi është thënë dhe është dëgjuar se ai, mbase, do ta dërgojë Ligjin e Pagave në Kushtetuese. SBAShK-u fillimisht kishte bërë angazhime të shumta që Projektligji për pagat të tërhiqej dhe të uleshin të gjitha palët e ta përgatitnin si duhet sepse, e kemi thënë shumë herë dhe publikisht, se Projektligji ishte i dobët dhe, për sistemin arsimor, degradues dhe nënçmues. Por, kjo nuk u bë dhe u desh shumë angazhime të tjera të bëjmë, pastaj edhe grevë, për t’i ndryshuar koeficientet. Njerëzit kanë qenë në pritje që Ligji për Pagat të nisë të zbatohet me pagën e dhjetorit dhe ia kemi thënë Avokatit të Popullit se nëse kjo nuk ndodh atëherë mund të ketë reagime dhe veprime”, ka thënë Jasharaj.

Në këtë kontekst, Jasharaj ka thënë se do ta respekton zërin e punëtorëve të arsimit.

“Unë, si gjithmonë, do ta respektoj zërin e punëtorëve të tërë sektorit të arsimit dhe ashtu si vendos Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, në të cilin janë përfaqësuesit e tërë sektorit të arsimit, nga çerdhet, arsimi parauniversitar dhe universitetet. Do të veproj ashtu si kërkojnë ata”, është shprehur Jasharaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe…