Kthimi pas tre vjetëve në Amerikë nga Kampi Ushtarak i Armatës së SHBA’së në “BONDSTEEL” të Sojevës në Kosovë

12 prill 2023 | 23:52

Ajaz Emini – Ditari (XVII)

Gjatë të gjithë kësajë kohe sa ishim në Ballkan përjetuam shumë ndryshime! Pas bashkëngjitjes tonë në Armatën Amerikane, kishim edhe qëllimin dhe planet kryesore që të mbetemi në Ballkan. Mirëpo duke i parë rrethanat në Kosovë dhe Maqedoni, na u deshtë që të anulojmë planet dhe vendosëm që përsëri të kthehemi në shtëpinë tonë në SHBA-së prej nga kishim ardhur gati se para 3 vjetësh, në shtëpinë që ia kishim pas lënë në shfrytëzim refugjatëve tanë.

Shahadija me vajzat: Liridonën dhe Mimozën vendosëm që të ktheheshin më së voni deri në fillim të Shtatorit 2001, me qëllim që të arrijnë regjistrimin me kohë në shkollat përkatëse në Cleveland, Ohio të SHBA-së. Kurse për mua, vendosëm që të vazhdoja punën me Armatën Amerikane në Kosovë edhe për një kohë të pacaktuar, me qëllim që të shohim edhe më tej se si po rrjedhin gjërat në këto anë.

Shahadija me Liridonën dhe Mimozën u kthyen për në Amerikë gjatë ditëve të kobshme të tragjedisë së 11 Shtatorit, një rrugë e cila kishte qenë mjaftë e mundimshme!-Më 11 Shtator 2001, atëherë19 militantët e islamistëve ekstrem të quajtur Al-Queda, kidnapuan aeroplanët me udhëtarë. Dy prej tyre u përplasën me qëllim në katin e 88 të kullave binjake 110 katëshe mu në zemër të Manhatanit në qytetin e New York’ut për të shkaktu sa më tepër viktima. I treti aeroplan u përplas në Pentagon jashtë Washingtonit, kurse i katërti aeroplan ra në Shanksville, në fushat e Pensilvanya’s!

Gjatë këtij sulmi patëm 2,996 viktima, me 19 terroristët e Al-Qaeda’s dhe mëse 25,000 të lënduar!…

Ishte një ditë që do të mbetet në faqet e historisë së njerëzimit, ishte një ditë kur gjithçka do të ndryshonte për gjithmonë! Tani  edhe udhëtimet e sidomos ato me aeroplan do të ndryshojnë rrënjësisht me kontrollet e tyre të pa numërta…

Me largimin e Shahadijes dhe vajzave nga Kosova, tani edhe për mua filluan shumë gjëra që të më bëhen monotone. Kështu që nga fundi i Shkurtit 2002 vendosa që edhe unë ta përfundojë misionin tim me Departmentin e Mbrojtjes së SHBA-s dhe të kthehem te familja ime në Amerikë!

Nga fundi i Shkurtit 2002 kërkova lejen e udhëtimit për kthim në SHBA nga zyrja e TRW, e cila ishte përgjegjëse për përkthyesit në Bondsteel të Kosovës. Kërkova lejen sepse sipas kontratës që kishim, para kthimit në shtëpi na duhej që neve së paritë kthehemi në bazën e Armatës Amerikane në Fort Benning të Georgisë, prej nga u nisëm për në Shqipëri dhe Kosovë për të bërë nënshkrimin e prishjes së kontratës me to si dhe dorëzimin e pajisjeve ushtarake që na kishin dhënë. Gjithashtu duhet edhe kryerja e kontrollës mjekësore pas kthimit…

AKTIVITETET PAS KTHIMIT NË SHBA

Pas kthyerjes tonë në shtëpi, për një kohë të shkurtër nuk u morëm me asgjë, përveçse që po mundoheshim të stabilizoheshim në shtëpinë që kishim blerë para 3 vitesh.

Disa muaj më vonë, duke na parë se ende nuk kishim filluar asgjë, një i afërm i familjes tonë Sadat Inal mu lut që ta zëvendësoja atë në biznesin e tij që kishte të bënte me shitblerjen e makinave. Kërkoi për shkak se e kishte dasmën e motrës së tij në Turqi. E pranova lutjen e tij, dhe gjatë verës e zëvendësova atë për derisa të kthehej.

Pas kthimit të tij, Sadati mu lut që të vazhdoja të punoja edhe më tej me të përderisa të vendosi unë se me çka do të merrem! Meqenëse ende nuk kisha ndonjë plan konkret vazhdova këtë punë edhe për disa vite derisa vendosa që të hapi biznesin tim personal, po në të njëjtin profesion që po e bëja aty, në shitblerjen e automjeteve të ndryshme- profesion që edhe sot po zhvillojmë.

Pas disa vitesh hapa edhe dyqanin e dytë të të njëjtit biznes, disa kilometra më larg nga i pari po me të njëjtin emër: “ALB USA AUTO INC.”

Në këtë biznes punësova edhe vajzën time Liridonën, e cila bëri punën e menaxheres për disa vite, derisa iu kyç shkollimit universitar si studente e rregullt në Cleveland State University, për çka i jemi shumë mirënjohës dhe i dëshirojmë suksese në profesionin e sajë.

Përveçse punës në profesionin tregtarë makinash (Car Dealer), gjatë kësaj kohe vazhdova edhe më tej në profesionin edhe të përkthyesit, por tani jo si punë të rregullt pasi se kisha hapë biznesin tim.

Punën e përkthyesit e vazhdova edhe për Departmentin e Emigracionit, të cilët që kishin të bëjnë me disa lëndë të kriminelëve serb nga krimet e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, – ish Jugosllavi! Detyra kryesore e Departmentit të Emigracionit ishte kapja e kriminelëve të krimeve të Srebrenicës, Potoçari dhe vendeve të tjera në Bosnje dhe Hercegovinë ku ishin masakruar më shumë se 8,000 boshnjak mysliman.

Këto masakra kishin ndodhur gjatë 11-22 Korrikut 1995, dhe pas luftës shumica e këtyre kriminelëve kishin emigrua edhe në SHBA, për një jetë më të mirë, e që kishin shfrytëzuar rastin dhe kanë ardh në Amerikë kinse edhe ata ishin viktima të asaj lufte. Por në realitet, ata vetë ishin kriminelët që kishin shkaktuar të gjitha ato krime mbi popullin boshnjak mysliman!

Në lidhje me krimet serbe nga Bosna dhe Hercegovina u angazhova dhe punova së bashku me oficerët e emigracionit në qytetin Tampa dhe Clearwater të shtetit të Floridës, si dhe në Chicago dhe Rockfort të shtetit të Illinois në SHBA.

Më vonë të njëjtën detyrë e bëmë edhe në qytetin e Detroit në Michigan, ku kësaj here në bashkëpunim kishim edhe gazetarin e mirënjohur, tani të ndjerë Sulejman Gashin dhe kolegun e përkthyesin e Gjeneralëve nga Bondsteel’i në Sojevë të Kosovës Mentor Hajdarin, me të cilët patëm marrëdhënie shumë të mira.

Në këto qytete, më vonë unë edhe u thirra disa herë nga prokuroria edhe si dëshmitarë i shtetit, që të dëshmojë në lidhje me përkthimet që kisha bërë me palët mbrojtëse, edhe para gjykatave ku po mbahej gjykimi i këtyre të akuzuarve serbë, të cilët më vonë pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ishin vendosur këtu në tokën e SHBA-s edhe me identitetet e rrejshme… (fund).

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fero dhe Arbenita janë një ndër çiftet më të komentuara…