Kuçi nënshkruan dy memorandume në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor

02 nëntor 2020 | 15:16

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka përfaqësuar Kosovën në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që këtë vit u mbajt në Tiranë, nisëm e cila realizohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit Shumëvjeçar të Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike.

Samiti u hap nga komisionarët e Bashkimit Evropianë, Thierry Bretton dhe Mariya Gabriel, sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Në këtë samit përveç fjalimeve të ministrave, janë nënshkruar edhe dy memorandume mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. 1. Memorandumi i mirëkuptimit për udhërrëfyesin e 5G për transformimin digjital në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe memorandumi i mirëkuptimit për Interoperabilitetin dhe shërbimet e besimit rajonal në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Blerim Kuçi në fjalën e tij në këtë samit, ka folur për punët që po bën Qeveria e Kosovës për të qëndruar në hap me botën teknologjike në aspektin e infrastrukturës dhe hapësirës së krijuar nga institucionet.

“Ne e mbështesim Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe duke shfrytëzuar momentin e imponuar nga kriza e Covid-19, mendojmë që bashkërisht mund të gjejmë zgjidhje që nëpërmjet TIK-ut të tejkalohen elementet e caktuara të krizës që njëkohësisht do të kenë ndikim në transformimin digjital”, ka thënë ministri Kuçi.

Ajo që Kosova realisht ka arritur në këtë sektor dhe që ministri Kuçi i prezantoi para homologëve rajonal dhe komisionarëve evropianë janë: mbulimi deri në fund të vitit 2020 të të gjitha zonave të bardha me fibër optik, krijimin e Zyrës së Kompetencës për Broadband, Rrjetin Nacional për Hulumtim dhe Edukim që do të integrohet në rrjetin Pan-Evropian GEANT, Atllasin elektronik brezgjerë për infrastrukturën, shërbimet dhe investimet në rrjetet e komunikimeve elektronike, avancim në 5G dhe memorandumet e nënshkruara për autostradën 5G, krijimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Prishtinë dhe Qendrën e Ekselencës Digjitale në Prizren.

Në margjina të takimit, ministri Kuçi shfrytëzoi rastin të takohet edhe me delegacionet e vendeve fqinje, duke folur për bashkëpunimet bilaterale dhe shkëmbimin e përvojave të mira.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Llapit nuk do t’i braktis garat në Superligën…