Kufiri me Shqipërinë mund të hapet mes qershorit

13 maj 2020 | 08:50

Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus ditët e fundit në Kosovë do ta shtyjë hapjen e kufirit me Shqipërinë. Madje ky rikthim i shifrave po vlerësohet rrezik i madh për shëndetin e njerëzve.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nëse ka përmirësime të situatës shëndetësore, mesi i muajit qershor mund të jetë afati optimal për hapjen e kufirit.

Minxhozi deklaroi se Shqipëria po përgatit masat për pushuesit që do t’ia mësyjnë plazhit.

Ai njoftoi se rregullat e plazhit do të jenë strikte, kurse paralajmëroi se nuk do të lejohen që mbi katër persona të qëndrojnë në veturë.

“Për bizneset kanë qenë më të favorizuara dhe po hapet çdo ditë e më tepër se çfarë mallrash duhet të hyjnë në Kosovë e Shqipëri. Për njerëzit është një problem delikat, nuk është çështje vullneti, por e situatës shëndetësore. Ne duam që numrat e personave të infektuar të ulen në minimum. Fatkeqësisht, Kosova këto ditë ka pasur një rritje e cila nuk është një sinjal i mirë. Njerëzit mendojnë që u liruan pak e po lirohen shumë. Kjo është e rrezikshme. Rikthimi i shifrave të ditëve të mëparshme është një rrezik i madh për shëndetin e njerëzve.

Mesi i qershorit do të ishte një afat optimal për t’i hapur kufijtë. Ky vit shënon një risi që nuk ka qenë deri tash, pushuesit që kanë planifikuar të shkojnë jashtë do të jenë në Shqipëri. Do të jetë një bashkim jo vetëm rreth flamurit, por edhe rreth detit”, ka thënë Minxhozi.

Ambasadori shqiptar theksoi se edhe qytetarët e qyteteve të bregdetit nuk mund t’i përdorin plazhet, janë duke u marrë masa të përbashkëta për të gjithë njësoj.

“Në përmirësimin e kushteve shëndetësore, ose situatës në dy anët e kufirit do të ketë hapa të tjerë. Por është herët ta mendojmë detin. Qytetarët e Durrësit, Vlorës, Sarandës nuk lahen në deti sepse po merren masa. Shqipëria po merr masa që në plazh të ketë hapësira  të nevojshme, jo siç kanë qenë më parë.

Një ndryshim masiv i njerëzve është i pamundur, andaj do të ketë rregulla strikte. Në një veturë nuk do të lejohen të jenë katër apo pesë persona. Do të ketë një hapje graduale e të kujdesshme. Do të ketë rregulla të njëjta si në Shqipëri, kur të shkosh në restorant do të matet temperatura. Çështja është se ne duhet ta mbrojmë vetveten, andaj do të ketë rregulla të forta që nuk do të jenë diferencuar, do të jenë të përbashkëta”, tha ai për EO.

Mes të tjerash, Minxhozi ka folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në këtë kohë pandemie, për të cilin tha se ka qenë i mirë, por me kapacitet të vogël.

Minoxhizi deklaroi se mes dy vendeve gjatë kësaj kohë kufiri ka qenë i hapur për disa biznese. Siç tha ai, janë importuar mallrat bazë, përfshirë këtu edhe mallrat e vendeve të botës të cilat kalojnë përmes portit të Durrësit e vijnë në Kosovë.

“Është një bashkëpunim normal në kohë lufte pandemie, që nuk ka kapacitetin e plotë, është me mangësi si rezultat i situatës së krijuar. Midis dy anëve të kufirit është marrë parasysh që të importohen dhe eksportohen mallrat bazë, ushqimore, derivatet. Ajo që është e rëndësishme se porti i Durrësit është në funksion të plotë, edhe të Kosovës për të lejuar që mallrat që vijnë nga bota të kalojnë nëpërmjet Durrësit e të vijnë në Kosovë pa kufizime”, u shpreh Minxhozi.

Ndër të tjera, ambasadori bëri të ditur se të gjithë shtetasit kosovarë të cilët kanë leje qëndrimi në Shqipëri mund të vijnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

“Të gjithë shtetasit e Kosovës që kanë leje qëndrimi në Shqipëri e kanë të lejuar të shkojnë, por jo në deti, por për të qëndruar në shtëpitë e tyre të karantinuar”, ka thënë Minxhozi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka shkruar në…