Kosova, sot, pa asnjë gazetë fizike

05 gusht 2020 | 09:31

Shkruan: Berat Armagedoni (Dakaj)

Kosovë, 5 gusht 2020. Kosova, pa asnjë gazetë fizike. Kosova, pa kujtesë politike, sociale, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, kombëtare, ndërkombëtare… në letër, por me kujtesë kolektive në kokë e me histori gojore e me folklor burimor krahinash sa të duash e sa të thuash, sepse nuk përtojmë të rrëfejmë e të shtrembërojmë kur nuk kemi dëshmitar e dëshmi.

Duke pasur këtë prirje, secili prej nesh, pas disa vitesh, vetëm do ta kujtojmë të kaluarën sepse nuk do të kemi me çfarë ta dokumentojmë veprimtarinë e institucioneve e të individëve. Prandaj këtij vendi, pos nënës, ka vite që ka filluar t’i shkërdhehet edhe baba sipas standardeve para dhe pas statusit të saj! Por, një ditë prej ditësh do të ndihemi keq për këtë nënë të shkretë e këtë baba të shkërdhyer sepse, kur kemi mungesë të shtypit fizik, s’do të mund të ndihemi mirë sepse na mungon pjesa më e rëndësishme e jona: publikimi i shkrimit, i faktit.

Do të ndihemi keq sepse, kur s’kemi çfarë të ruajmë, ata që kërkojnë dokumente në biblioteka dhe në arkiva, s’do të kenë çfarë të kërkojnë. Dhe, pas librave, në institucionet publike që merren me mbledhjen, ruajtjen dhe konservimin e fondeve bibliotekare, ndër më të kërkuarat janë gazetat.

Për shembull, sa ishte e hapur nuk kishte ditë që në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës njerëzit të mos vinin e të mos i kërkonin gazetat e viteve ’80-’90 e ato pas 2000-s. U kënaqnin kur, më në fund, thoshin “e gjeta veten”. Por, pas pandemisë në Kosovë ata mund të vijnë të kërkojnë vetëm ndonjë udhëzues shëndetësie, ndonjë maskë a pak detergjent për mbrojtje nga infeksioni Covid-19.

Kur e nisëm botimin e revistës “Akademia” patëm menduar se një ditë prej ditësh do të vijë kjo ditë: do të mbyllen gazetat fizike sepse, pavarësisht prej dëshirës së botuesve, kontributit të tyre fizik, intelektual dhe financiar, po qe se shteti nuk e ndihmon veprimtarinë e tyre botuese, ato do të mbyllen sepse e kanë të pamundur t’i botojnë. Kush ka pasur gazetë fizike, po qe se ka shtypur vetëm 6 000 ekzemplarë në ditë, e di sa shpenzimet i dalin prej dore në ditë. Dhe ja, u mbyllën gazetat, më së paku qe pesë-gjashtë muaj edhe katër prej gazetave më jetëgjata në Kosovë: “Koha ditore”, “Epoka e re”, “Zëri” dhe “Bota sot”, të cilave institucionet ua kanë kthyer shpinën sepse ato dhe ata që i udhëheqin ato nuk e dinë rëndësinë e letrës, të ruajtjes e të dokumentimit të ndodhive. Institucionalistët dinë tjetërçka.

Ja çfarë dinë ata…

Këtë shtetin tonë, Kosovën e çliruar me sakrifica njerëzore e shtazore e materiale, e kanë rrjepur mijëra organizata ndër vite. Ia kanë bërë gjinjtë zhallogë. Ia kanë përvjelë deri në kërthizë. Sot, gjak i pikojnë. Kanë thithur fonde prej saj kush i pari dhe e para e kush i fundit dhe e fundit, pa ndonjë përgatitje shkollore, vetëm me asete të mëdha trupore e me servilizëm, nepotizëm e gojorizëm në vetura e në zyra e në salla sportesh e hotelesh, për tema koti. Thithin edhe sot të njëjtët e të njëjtat mijëra euro nga institucionet e Kosovës e kujt në këtë vend e në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk i shkon mendja ta ruajë traditën e shtypit të gazetave sikurse e ruan traditën e shtypit të revistave.

Megjithatë, institucioneve u shkon mendja për diçka tjetër: u shkon mendja t’u japin para dhjetëra portaleve dhjetëra mijëra euro. Dhe jo pak para u japin atyre portaleve që do të duhej të mbylleshin për shkak se nuk i kushtojnë, në radhë të parë, rëndësi shkrimit të shqipes, pastaj rregullave të shkrimit të zhanreve të gazetarisë, kodit etik e tek pastaj, pasi dikush u reagon, i kërcënon a u ofron ndonjë favor (të shumtë janë gazetarët/et që, për shkak të këtyre favoreve që ua kanë ofruar drejtuesit e institucioneve, kanë lënë gazetarinë dhe janë punësuar në ato institucione), çohen dhe shkrimit i mëshojnë delete si mos të ketë ndodhur asgjë! Këto raste janë të shumta dhe të shpeshta. Shumë shkrime të miat që i kam publikuar në disa media online sot nuk i gjej. Disa botues i pata çuar në rrotë të nanës sepse, pasi patën marrë dy a tri shkrime nga llogaria ime në “Facebook” për disa individë e për punët e mbrapshta të disa institucioneve, të njëjtat i kanë fshirë pa u bërë njëzet e katër orë sepse frikoheshin se mund t’u shkëputeshin kontratat nga institucionet për shkak të ndikimit të fuqishëm të njerëzve që rrinin prapa tyre. Disa media online të tjera ose i kanë fshirë shkrimet me vetëdëshirë, ose ua ka fshirë vëllimi i punës sepse e kanë bythën e vogël (diskun, deskun dhe trurin) për të mbajtur mend gjatë. Në gazetën fizike kjo kopili dhe kjo tradhti nuk ndodh.

Shikoni sot si bëhet e si shkruhet gazetaria e mediave online: në kushte shtëpie, me kopjime tekstesh, me komente rrjetesh sociale, me tituj përplot gabime e me përplot çudira. Dhe kush janë ata që i bëjnë këto gabime, që shkelin etikën e punës me dy duar! Janë ata që mbledhin para nga institucionet për, kinse, përkujdesjen për publikimin e shkrimeve rreth veprimtarisë së tyre. Janë ata që mezi kanë kryer fakultete. Mezi e kanë lexuar një libër. Mezi e shkruajnë një fjali bashkërenditëse drejt. Mezi e shkruajnë një titull. Ata që në tryezën e punës (s’kanë tryeza hiç, sepse nga celularët e nga kompjuterët, ende pa u zgjuar nga shtrati, publikojnë lajme me burime të sigurta, të mirinformuara, të besuara e të rrejshme fort) s’kanë asnjë fjalor fizik dhe s’dinë as ta lexojnë drejt sepse nuk e kanë lexuar manualin për përdorimin e tij dhe u përzihet renditja e shkronjave të alfabetit, shpeshherë sh-ja u del para p-së.
Kjo është gjendja e gazetarisë dhe e gazetarëve në Kosovë.

Kjo është gjendja e institucioneve të Kosovës.
E kujtesës kolektive.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkaku zyrtar i shpërthimit në Liban është i panjohur, Presidenti…