Kundërshtimet e opozitës shtyn diskutimin rreth projektligjit për pagat

24 shtator 2018 | 12:42

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, në të cilën ishin nëntë pika të rendit të ditës. Por, deputetët e opozitës janë ankuar për agjendë të ngjeshur, duke kërkuar që në këtë takim vetëm të caktohet mbajtja e mbledhjes së radhës e këtij komisioni me dy projektligje dhe të mos shkohet “shkel e shko”.

Pas kundërshtimit të opozitës janë hequr nga rendi i ditës pakoja e projektligjeve për reformën në administratën publike, kur përfshihet Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Transmetuesin Publik.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka dhënë vërejtje për numrin e madh të projektligjeve brenda një mbledhjeje. “Gjashtë projektligje janë tepër për një mbledhje. Më shumë se dy projektligje në mbledhje janë shumë. Kjo po shkon shkel e shko, veç kishe po i shqyrtojmë”, ka thënë ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, ka deklaruar se nuk ka kushte për të zhvilluar mbledhje të komisionit. “Propozoj që sot të merremi vesh se cilat prej dy projektligjeve t’i trajtojmë në mbledhjen e radhës, sepse sot nuk ka  kushte. Për transmetuesin publik kemi vërejtje gati në çdo nen”, ka thënë Rrahmani.

Me Pantinën dhe Rrahmanin u pajtua edhe deputeti i LV-së, Adem Mikullovci.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, ka thënë se Projektligji për RTK-në është punuar nga vetë deputetët.

Ai ka propozuar që nga rendi i ditës të hiqen projektligjet që kanë të bëjnë me reformën në administratën publike. “Projektligji për RTK-në e kemi hartuar vet dhe tash duhet ta çojmë për seancë. Vetëm për komunën dhe qasjen në dokumente mund të diskutojmë, kurse pikat 4, 5 dhe 6 t’i heqim nga rendi i ditës”, ka thënë Hasani.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interneti do të ndahet në dy botë të ndryshme brenda…