Kur në Gllogoc bëheshin demonstrata për Kosovën republikë

02 prill 2021 | 09:36

Izet Abdyli

Shkëndijat e para që i ndezën studentët e Universitetit të Prishtinës më 11 dhe 26 mars të vitit 1981, u përhapen në të gjitha qytetet e Kosovës me 1 e 2 prill. Edhe Drenica (Gllogoci) i  Shaban Palluzhës me 2 prill 1981 ditë e enjte kishte një pamje tjetër. Si kronist dhe dëshmitar i asaj dite do të rikujtoja, se ajo ditë kishte ngrohtësinë e diellit pranveror por edhe ngrohtësinë në brendi të zemrave të njerëzve që atë ditë tregu po lëviznin rrugëve të Gllogocit me një ngazëllim, me një ndjenjë që u vlonte përbrenda dhe prisnin orën dhe kohën për të shpërthyer dufin e urrejtjes për një pushtet që me vite po nëpërkëmbte të drejtat dhe lirinë e tyre. Gjendja shëndetësore (pas një alergjie që kisha pësuar nga helmet e derdhura nga milicia në konviktin nr. 4 me 26 mars) për tu vizituar te mjeku ishte vetëm një shkas që unë të gjendem atë ditë në Gllogoc, ndërsa arsyeja kryesore ishte se ne studentët e Gllogocit në Prishtinë  ishim marr veshë që atë ditë tregu ta shfrytëzonim për demonstratë edhe në qytetin tonë. Gjatë qëndrimit të shkurtër në shtëpinë e shëndetit (derisa mora një injeksion) vërejta se atmosferë e demonstratës ishte e pranishme edhe aty, pëshpëritjet e motrave me zë të ulët se sot do të shpërthej edhe këtu demonstrata ishte sinjal se tashmë edhe Drenica e përvuajtur  do shpërthente me tërë vrullin e rinisë së saj. Dhe ky vrull shpërtheu ku tjetër përveç  se në vatrën e diturisë, shkollën e mesme në  Drenas ( Që padrejtësisht i ishte hequr emri ,,Gjergj Kastrioti –Skënderbeu”  dhe i ishte vënë emri i satrapi Tito). Diku rreth orës 10 një grup nxënës e studentë me një fjalim kushtrimi  që do të lexohet para dyerve të shkollës së mesme do të bëj që një turmë demonstruesish të niset drejt qytetit, por me të arritur të vendkalimi hekurudhor do pengohen nga policia, kështu demonstruesit do të ndërrojnë drejtimin duke vazhduar rrugën hekurudhore për të dal të stacioni i trenit, meqë rast do të tentojnë të afrohen afër komunës. Aty do të bashkëngjitëm edhe unë me shumë qytetarë të tjerë, sidomos ata që ishin në tregun që gjendej pranë stacionit policor dhe do mësyjmë rrugën drejt fabrikës së Fernikelit. Parullat që u brohoriten ishin: Kosova Republikë, Lironi shokët, Liri për Kosovën,Trepça punon Beogradi ndërton, Duam liri si: Republikë Kushtetutë o me hatër o me luftë dhe u kënduan këngë patriotike  si ato: Eja Mblidhuni këtu këtu, Bashkohuni me ne etj. Me të arritur te Fabrika e Feronikelit aty do të bashkëngjiten edhe punëtorët e kësaj fabrike dhe numri i demonstruesve sa vjen e rritet. Në kthim për Gllogoc afër vendkalimit hekurudhor te barakat e Feronikelit kishte zënë  pusi një kamion i milicisë i cili i goditur nga breshrit e gurëve që demonstruesit hodhën mbi ta nga hekurudha do të lenë kamionin vetë dhe do ikin drejt lagjes Pajazi të Gllogocit. Aty do merret një automatik i harruar nga demonstruesit ndërsa nga plumbat dum-dum do plagoset Bahtijar Osmani nga Zabeli Ulet. Me te arritur në Gllogoc do bëhet përpjekje marshimi drejt komunës dhe stacionit policor ku do të pengohemi nga kordoni i milicëve. Tashmë janë me mijëra demonstrues dhe marshimi vazhdon qendrës së qytetit. Aty dalin në ballë ca djem më të fuqishëm që prijnë në kolonë si Ramadan Nikaj, Selim Bucolli, etj. dhe tek objekti  i karburanteve INA e thyejnë foton e Titos. Ndërkohë depërtojnë edhe në shkollën fillore për të marr letra kartoni për ti shkruar parullat  ku me gjithë pengesat e disa mercenarëve, agjentëve të sigurimit ia dalin që nga shkolla të dalin me parulla të shkruar në karton. Vendosmëria e demonstruesve ishte tejet e madhe, brohoritjet vazhdonin dhe doli kërkesa të marshohet drejt shkollës së mesme me qëllim ti rivendoset  emri i saj i mëparshëm. Në vazhdimësi profesorët e shkollës së mesme vinin prapa nxënësve të tyre duke u dhënë kurajo e në mesin e tyre ishte edhe drejtori i shkollës poeti e shkrimtari Ymer Elshani. Me të kaluar hekurudhën demonstruesit ndalin një kamion që e drejtonte një serb të cilit ia marrin një revole e cila më pastaj i shërbej njërit nga demonstruesit që kur hoqën mbishkrimin e shkollës ,,Mareshali Tito” dhe vunë mbishkrimin e Shkollës ,,Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të shkrep një karikator në ajër. Kjo demonstratë e fuqishme i dha një leksion pushtetit komunist i cili me një egërsi të paparë u sul drejt demonstruesve për ti shpërndarë ata, por epërsia e demonstruesve bëri që ata të shpërndahen vetë në orët evona të pasdites.

Vlen të veçohet me këtë rast guximi i rinisë shkollore e studentëve, të moshuarve, punëtorëve të Feronikelit, Organizatës  Punuese ,,Drenica” por edhe punëtorëve arsimor , shëndetësor dhe të administratës komunale  të cilët iu bashkëngjitën demonstratës pa u hamendur se të nesërmen do jenë  pre e kërcënimeve, largimeve nga puna, burgosjes etj. Do ti hynim në hak po të mos përmendej në këtë  shkrim  plaku me kali (sa më kujtohet nga Vuçaku)  i cili printe me flamurin kombëtar në demonstratë, apo goditja me gurë e postëkomandantit  të stacionit policor të cilit i shkonte gjaku rrëke nëpër fytyrë, por edhe guximi i të riut XH.C i cili kur një agjent sigurimi i drejtoi revolen që ta pengoi hyrjen e tij në shkollë fillore për të marr karton të letrës për parulla, ai pa hezituar zbërtheu kopsat e këmishës e i shpalosi gjoksin, duke i thënë: Qëllo, të pshurrsha . në të. Agjenti mbeti i tmerruar nga ky gjest vendosi revolen në brez dhe iku nga turma, ndërsa guximi i djaloshit u përshëndet me brohoritje e ovacione. Episodet e kësaj dite do sillen një kohë të gjatë si copëra imazhesh në memorien time dhe sot jam krenar që pas më tepër se tri dekada po shpalos vetëm pak detaje të kësaj dite, ngase madhështia e asaj ngjarje nuk mund të përshkruhet  me vetëm këta rreshta. Shpresojë që dëshmitarët e gjallë – pjesëmarrës të kësaj demonstrate do ta përplotësojnë me detaj tjera këtë shkrim , i cili jam i vetëdijshëm se nuk e ka dhënë në tërësi ndodhinë e asaj ngjarjeje, po janë vetëm disa pjesë fragmentare të asaj dite.

Autori ka qenë pjesëmarrës në demonstratat e 2 prillit 1981 në Gllogoc.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente…