Kur zhurma e tenxhereve dhe garuzhdave prezantohet si “populli”

23 mars 2020 | 14:08

Nga Migjen Kelmendi

Thonë, historia nuk përsëritet, po edhe kur ndodhë me u përsëritë, përsëritet si farse.

Farsa e këtyne ditëve, që përpiqet me e kthye historinë në vitet ’90, nuk asht asgja tjetër por edhe nji përpjekje e re, në vazhdën e manipulimeve tjera te partisë Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, me manipulue me qytetarët dhe përkrahësit e vet.

Kjo farse vetëm sa e çimenton përshtypjen e përgjithshme se Albin Kurti asht në gjendje me ba çmos për pushtet. Nuk tregon aspak ndjeshmeni për shqetësimin e qytetarëve të Kosovës me situatën e pandemisë. Nuk tregon ndjeshmeni as mirëkuptim për partnerin e vet të koalicionit LDK, por nga fjalori i lavdit për ta, mbrenda nate kalon në gjuhen e urrejtjes dhe linçit për LDK.

Me na e prezentue zhurmën e votuesve të vet dhe të fëmive që po luejnë çoke neper internet tuj ba llajka e hajgare si “popull”, ma s’pari asht e turpshme për nji njeri publik, që ka marr përgjegjësi.

Zhurma nuk asht “populli”. Nuk po flet “populli” në mbramje, por Albin Kurti.

Populli ka fole, dhe ajo që ai foli me 6 tetor, asht shkrue në ndamjen e përfaqësimit që e kemi sot në Kuvend. Atë që Kuvendi na e dëshmon si vullnet i popullit, asht ndamja e përfaqësimit të tij mbrenda tri forcave politike, me pak diference mes vete.

Ky asht populli.

Prandaj, ta lamë popullin dhe demokracinë me fole. Ta lamë me veprue. Mos ta mbysim me zhurmë te manipulueme e te orkestrueme. Mos ta mbysim me përhapje të urrejtjes dhe linçit, po t’i japim demokracisë shans. Ta ndigjojmë popullin.

Sepse, po e them, historia nuk përsëritet, edhe nëse përsëritet, na shfaqet si – farse!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gara e Shpërblimit të Madh të Azerbajxhanit në Formula 1,…