Kurdët vrasin pesë ushtarë turq gjatë operacioneve në Irak

10 gusht 2023 | 12:39

Pesë ushtarë turq janë vrarë gjatë një përleshjeje me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në pjesën veriore të Irakut, ka njoftuar të enjten Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

Konflikti ka ndodhur në rajonin Zap, ku Turqia ka qenë duke kryer një operacion matanë kufirit, të quajtur “Bllokimi me Kthetra”, raporton agjencia “Reuters”.

Ankaraja ka thënë se ofensiva është masë për ta parandaluar shfrytëzimin e territorit të Irakut nga PKK-ja si bazë për të kryer sulme në Turqi.

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë, ka thënë se pesë ushtarët janë vrarë në rundin e parë të zjarrit nga militantët e PKK-së, përderisa ata ishin duke kryer aktivitet kërkues në terren.

PKK-ja ka fortifikata të mëdha përreth rajonit, ku “terreni është shumë i ashpër”, por rajoni “do të pastrohet nga terroristët” pavarësisht nga sulmet, ka thënë zyrtari turk.

PKK-ja, e cila ka baza në pjesën veriore të Irakut, cilësohet grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ky grup nisi një kryengritje në juglindje të Turqisë më 1984. Gjatë kryengritjes janë vrarë më shumë se 40 mijë njerëz.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka thënë se si pjesë e operacionit “Bllokimi me Kthetra”, i cili ka nisur në prillin e vitit të kaluar, 586 militantë janë “neutralizuar” deri më tani.

Termi “të neutralizuar” përdoret zakonisht nga ushtria turke për të nënkuptuar “të vrarë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas më shumë se 40 vjet kontributi në Klinikën Interne,…