Kurteshi: Vetëvendosja nuk ndahet, mund të ketë ndonjë largim

07 janar 16:24

Ushtruesi i detyrës së sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë me dije se ajo çfarë është duke ndodhur në këtë lëvizje nuk është gjë e mirë.

Por, ai ka shprehur optimizëm se me një vullnet mesatar mund të tejkalohen pakënaqësitë e krijuara. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kurteshi u ka bërë thirrje zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje t’i shqyrtojnë vendimet e tyre. Ai ka thënë se më shumë ka gjëra që i bashkojnë sesa që i ndajnë. Kurteshi ka treguar se për aq sa ka dëgjuar nga të dorëhequrit, ka kushtëzime që Albin Kurti të mos kandidojë për kryetar. Ai ka thënë se me zgjedhjen e Kurtit në krye të partisë nuk do të ndahet Lëvizja Vetëvendosje.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, çfarë po ndodh në Lëvizjen Vetëvendosje, pse po japin dorëheqje disa nga zyrtarët kryesorë të saj si Aida Dërguti, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina dhe Zgjim Hyseni?
Kurteshi: Natyrisht se kjo që po ndodh në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është e mirë dhe mund të jetë një pengesë e përkohshme e ecjes përpara. Por, është e drejtë e secilit që në një periudhë të caktuar t’i rishikojë qëndrimet e veta dhe të përcaktohet për një organizim tjetër, për një koncept tjetër politik ose për një rrugë tjetër. Të gjithë këta që i përmende e që kanë dhënë dorëheqje kanë kontribuar, dikush më shumë e dikush më pak në Lëvizje, por të gjithë kanë kontribuar që Lëvizja të jetë kjo që është sot. Tashti në një moment të caktuar kanë vendosur të tërhiqen nga pozicionet partiake për arsye tanimë të njohura për opinionin. Pra, për shkak se disa çështje në lëvizje do të duhej të zgjidhen përmes dokumenteve që i kemi aprovuar së bashku, siç është statuti. Ata nuk janë pajtuar dhe kanë kërkuar një zgjidhje tjetër, e cila është e papranueshme për shumicën dërrmuese, jo vetëm të strukturave udhëheqëse të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe të anëtarësisë së lëvizjes në tërë vendin, madje edhe në diasporë.

“Epoka e re”: I keni shqyrtuar këto dorëheqje në organet drejtuese të lëvizjes, në mënyrë që këto të parandalohen?
Kurteshi: Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje të enjten ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku njëra prej temave ka qenë situata aktuale brenda lëvizjes. Kryesia ka marrë qëndrim se të gjithë ata që janë dorëhequr nga pozitat e tyre mund t’i rishqyrtojnë ato dhe të kthehen në vendet e tyre brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Një numër i madh i këtyre që sot pa japin dorëheqje, deri para një jave thoshin se ‘nuk jemi të gatshëm të flasin se po e presim Albinin derisa të dalë nga burgu’. Tash kur Albini ka dalë kanë pasuar dorëheqjet. Megjithatë, unë personalisht të enjten kam folur me anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk janë lajmëruar në telefon dy prej tyre, kurse me të tjerët kam folur dhe kam kërkuar të vijnë në mbledhjen e ardhshme të kryesisë, në mënyrë që aty ta rishqyrtojnë pozicionin e tyre. Pra, të kthehen në përgjegjësi ose ta tregojnë arsyen pse po japin dorëheqje. Në mesin e atyre që kanë dhënë dorëheqje ka konfirmime se në mbledhjen e ardhshme të kryesisë do të marrin pjesë dhe do ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre. Gjithashtu, ka paralajmërime se një pjesë e atyre që kanë dhënë dorëheqje do të kthehen në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Epoka e re”: Kush ka pranuar të kthehet dhe ta rishqyrtojë vendimin dhe kush ka refuzuar?
Kurteshi: Ju lutem, sot mos kërkoni të flas me emra. Mbledhja e kryesisë do të mbahet javën tjetër dhe do ta shihni se një pjesë e tyre do të kthehen.

“Epoka e re”: Mund të rikuperohet kjo përçarje brenda Lëvizjes Vetëvendosje?
Kurteshi: Për çdo gjë ka mundësi mund edhe të rikuperohet. Dallimet në mes të atyre që po japin dorëheqje dhe neve që po kërkojmë që ky problem të zgjidhet përmes statutit nuk janë të mëdha. Më shumë kemi gjëra të përbashkëta sesa gjëra që na ndajnë. Mirëpo vetëm duhet një vullnet i mirë. Dyert dhe mundësitë janë të hapura. Ata mund të vijnë dhe të debatojmë bashkërisht në mënyrë që t’i bëjmë zgjidhjet e duhura. Mirëpo gjithnjë duke u thirrur në dokumentet tona, qoftë në statut, qoftë në dokumentet tona politike.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, në opinion po duket se ka diçka më të madhe që ka shkaktuar këto pakënaqësi dhe këtë ndarje brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Po të ishin të vogla gjërat siç po thoni ju, do të mund të tejkaloheshin pa pasoja dhe pa dorëheqje.
Kurteshi: Unë nuk di për gjëra më të mëdha. Ata që i dinë le t’i nxjerrin. Personalisht e di dhe i kam dëgjuar kushtëzimet që Albini të mos kandidojë për kryetar. Kjo kërkesë është në kundërshtim me statutin. Natyrisht se mund të ketë ndonjë fjalë, por kjo është esenca. Gjera të tjera unë nuk e di se ka.

“Epoka e re”: Albin Kurti nuk është më figurë unifikuese për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë shpallja e kandidaturës së tij për postin e kryetarit u pasua me disa dorëheqje?
Kurteshi: Bazuar në statutin e Lëvizjes Vetëvendosje secili anëtar i lëvizjes që është anëtar për tre vjet ka të drejtë të kandidojë për kryetar të lëvizjes. Këtë të drejtë askush askujt nuk mund t’ia mohojë. Nëse ata që kanë kandiduar i fitojnë 50 për qind plus një votë, do të jenë legjitimë. Është mirë përherë të jetë një kryetar konsensual, por herë-herë ekziston edhe mundësia që kjo të ndodhë me vota. Afat për të kandiduar ka ende, pra deri më 10 janar. Prej 21 dhjetorit deri më 10 janar janë tri javë të plota dhe të gjithë ata që mendojnë se duhet të kandidojnë dhe kanë përkrahjen që mund të kontribuojnë më shumë se Albin Kurti janë të mirëseardhur.

“Epoka e re”: Përveç Albin Kurtit, ka shpallur edhe dikush tjetër kandidaturën për kryetar të partisë?
Kurteshi: Kandidaturat shpallën tek komisioni zgjedhor dhe unë nuk jam pjesë e atij komisioni. Sa unë jam i informuar, nuk e di se ka kandidaturë tjetër përveç të Albinit.

“Epoka e re”: Pas gjithë këtyre zhvillimeve, a ka ende mundësi për arritjen e një konsensusi brenda Lëvizjes Vetëvendosje, që Albin Kurti të mos jetë kryetar i partisë, por një figurë tjetër?
Kurteshi: Asnjëherë unë nuk thashë se duhet me qenë vetëm z. Kurti. Madje ajo që thashë më herët ishte ftesë për të tjerët që të kandidojnë. Pra, i ftoj të gjithë ata që mendojnë se i ndihmojnë lëvizjes dhe do të dinin për të udhëhequr më mirë, le të kandidojnë. Secili kandidat do t’i ketë mundësitë e barabarta. Unë nuk jam as për Kurtin e as për të tjerët. Unë jam për t’i zgjidhur problemet me statutin e Lëvizjes.

“Epoka e re”: Në organet e partisë, qoftë më herët qoftë tash, keni diskutuar mundësinë që të arrihet një kompromis në mes atyre që e mbështesin Kurtin dhe atyre që e kundërshtojnë?
Kurteshi: Personalisht nuk jam marrë me këtë çështje, sepse konsideroj se është e padrejtë t’i mohohet kandidatura kujtdo qoftë. Edhe nuk mendoj se dikush synon diçka të tillë dhe është në frymën e Vetëvendosjes dhe që i ndihmon lëvizjes. Gara është e hapur dhe mund të kandidojë secili. Konkurrenca garantohet edhe me ligjet e Kosovës. Unë nuk jam pro që dikujt t’i mohohet një e drejtë e cila parashihet në statut të partisë.

“Epoka e re”: Ka rrezik që zgjedhja e Albin Kurtit në krye të partisë do ta ndajë përfundimisht Lëvizjen Vetëvendosje?
Kurteshi: Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndahet. Do të ketë ndonjë dalje nga lëvizja, por Vetëvendosja do të mbetet subjekti më i fortë politikë në vend, me vizion shumë të qartë dhe me angazhim të madh për të punuar për interesat e këtij vendi.

“Epoka e re”: Si mund të punohet për interesat e vendit kur ka kaq shumë pakënaqësi brenda lëvizjes dhe dorëheqje?
Kurteshi: Ata që janë dorëhequr nuk kanë dalë nga Lëvizja Vetëvendosje. Ata vetëm kanë hequr dorë nga përgjegjësitë dhe pozitat që i kanë brenda lëvizjes. Pra, nga lëvizja nuk janë larguar as Visari dhe as të tjerët. Të gjithë janë brenda lëvizjes, veçse kanë hequr dorë nga pozitat që është e drejtë e tyre.

“Epoka e re”: Si mund ta përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje në Kuvend kur nuk kanë asnjë funksion brenda Lëvizjes, pra duke qenë vetëm anëtarë të thjeshtë?
Kurteshi: Ka plot deputetë të tjerë që janë vetëm anëtarë të thjeshtë, pra nuk kanë asnjë angazhim tjetër.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, nuk po flasim për deputetë dhe zyrtarë të thjeshtë të partisë, por për ish-liderin e partisë, Visar Ymeri, ish-nënkryetarin Dardan Sejdiu, ish-nënkryetaren Aida Dërguti si dhe deputetët e tjerë. Pra, bëhet fjalë për njerëzit më të votuar brenda Lëvizjes Vetëvendosje e jo për deputetët e rinj të kësaj lëvizje?
Kurteshi: Këtë pozicion ata po e zgjedhin me vetëdëshirë. Asnjëri prej tyre nuk është i shkarkuar.

“Epoka e re”: Si mund ta vazhdojnë aktivitetin brenda lëvizjes pas gjithë këtyre ngjarjeve?
Kurteshi: Mediet po i rrisin pak gjërat. Nuk ka asnjë të keqe. Unë komunikoj me secilin prej tyre. Jam i gatshëm për të pirë kafe dhe për të diskutuar për të gjitha çështjet që u interesojnë. Në diçka pajtohemi dhe në diçka nuk pajtohemi, kjo nuk është diçka e re. Kështu që situata nuk është dramatike siç po prezantohet në mjetet e informimit, por secili i sheh zhvillimet nga prizmi i vet.

“Epoka e re”: S’ka rrezik që të pakënaqurit të formojnë parti të re?
Kurteshi: Po flas për situatën aktuale dhe të gjithë ata që kanë dhënë dorëheqje janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Çfarë do të ndodhë nesër nuk e di. Sot të gjithë jemi anëtarë të një subjekti politik, e kemi një program politik dhe angazhimet tona shkojnë drejt një koncepti tonë të përbashkët. Pakënaqësitë e vogla mund t’i tejkalojmë me një vullnet mesatar.

“Epoka e re”: Këto pakënaqësi të vogla, mund të shndërrohen në një ‘termet’ kur Kurti të zgjedhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje?
Kurteshi: Nuk ka pasur tërmet asnjëherë në Lëvizjen Vetëvendosje. Mbledhjet e kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm kanë kaluar qetë dhe me debate të ndryshme. Pavarësisht prej dallimeve që i kemi, ne e dimë se kemi gjëra të përbashkët dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë dhe të kontribuojmë për të mirën e këtij vendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral Ljubisa Dikoviq,…