Ndue Gjon Përlleshi dhe Ndue Mark Markaj – një histori për lirinë e Kosovës!
Damjan Markaj
Ndue Gjon Përlleshi dhe Ndue Mark Markaj – një histori për lirinë e Kosovës!
Gjyshi im, së bashku me vëllezërit e tij, për Shqipërinë dhe Kosovën, me shumë shokë, bashkëkombës dhe bashkëluftëtarë, luftuan për trojet shqiptare etnike.
Ndue Mark Markaj, fëmija i gjashtë i Mark Gjon Markagjonit, është i lindur në fshatin Gjurgjevik i Madh të Klinës, Republika e Kosovës, sipas regjistrit të librave në zyrat e regjistrimit. Prindërit e tij ishin Mark Gjon Markagjoni dhe Prena Ndrecaj Markagjoni.
Ndue Mark Markagjoni ka lindur më 08.12.1908 dhe ka vdekur më 19.11.1996 në fshatin Krushevë e Madhe, Komuna e Klinës, Republika e Kosovës, në shtëpinë e tij.
Si fëmijë ka qenë shumë i zgjuar dhe i dashur. Shkollën fillore tetëvjeçare e ka përfunduar me sukses, ndërsa shkollën e mesme, për shkak të rrethanave të okupimit dhe pasojave të Luftës së Parë Botërore, nuk ka mundur ta përfundojë.
Shërbimin ushtarak Ndue Mark Markaj, së bashku me Ndue Përlleshin nga fshati Paskalicë, Komuna e Klinës, Republika e Kosovës, e përfunduan për 3 vite, duke u përgatitur për Luftën e Dytë Botërore.
Ndue Mark Markagjoni martohet pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1950, dhe Zoti ia fal dy djem: Nikollën dhe Mark Markajn. Bashkëshortja e tij Vera vdes shumë e re në moshë.
Ndue Mark Markagjoni ishte fëmija i gjashtë i Mark Gjon Markagjonit, ndërsa nëna e tij ishte me prejardhje nga fshati Krushevë e Madhe, Prena Gjokë Ndrecaj Markaj.
Familja e nënës së Ndue Mark Markagjonit, dajallarët, gjyshi dhe gjyshja, me prejardhje nga Lugu i Drinit, familja Ndrecaj, kanë qenë familje atdhetare, e fortë dhe shumë e madhe. Kjo familje i doli zot atdheut dhe kombit në rrethana shumë të rënda, si shumë familje tjera patriotike për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndue Mark Markagjoni, si i ri, rekrutohet për Luftën e Dytë Botërore dhe ftohet të marrë pjesë në luftën partizane kundër antifashizmit. Nga 13 mijë shqiptarë të Kosovës që u nisën drejt Malit të Zi, në Tivar, për t’u armatosur në Kroaci dhe për të luftuar në anën e Jugosllavisë me partizanët, 4300 shqiptarë u masakruan. Një pjesë u hodhën në det në Mal të Zi, një pjesë u dogjën dhe një e treta u zhdukën përgjithmonë. Ndue Mark Markagjoni, si i ri dhe shumë i zoti, shpëton për fat të mirë nga kjo masakër, së bashku me një pjesë të vogël të shokëve të tij.
Pas kthimit nga kjo masakër makabre kundër shqiptarëve në Tivar të Malit të Zi, Ndue Mark Markagjoni nuk paraqitet për një kohë, duke u fshehur dhe duke u përgatitur për luftën kaçake e balliste kundër regjimit komunist, serbëve dhe malazezëve në Kosovë. Duke kuptuar se Shqipëria nuk iu doli zot shqiptarëve në masakrën e Tivarit dhe se shteti shqiptar me aparatin shtetëror e politik kishte heshtur ndaj këtij akti kriminal të ushtrisë jugosllave dhe partizanëve kriminalë.
Strategjia e ballistëve të Dukagjinit zhvillohej në fshatrat Krushevë e Madhe, Paskalicë, Bokshiq dhe Bec të Gjakovës, së bashku me Ndue Gjon Përlleshin, Shaban Demën, Ndrec Nikolla-Kangjin, Hajdar Hamzën nga fshati Bokshiq i Komunës së Klinës dhe Vuksan Nikajn nga fshati Bec i Komunës së Gjakovës.
Dy vajzat e Pjetër Mark Markagjonit, Maria-Bardha Hamza Markaj dhe Pashke Markaj Nikaj, ishin të martuara me dy ballistë që drejtonin luftën kaçake kundër Jugosllavisë dhe partizanëve.
Vëllai i Ndue Mark Markagjonit, Pjetër Mark Markagjoni, vritet në fshatin Gjurgjevik i Madh, Komuna e Klinës. Nëna e Pashkes dhe Maria-Bardhës, Hajrije Thaçi Markagjoni nga fshati Gllogjan i Pejës, vazhdon jetën edhe për një kohë të shkurtër dhe më pas vdes në fshatin Krushevë e Madhe. Ajo varroset në varrezat e fshatit Ranoc, Komuna e Klinës.
Familjet Përlleshi, Markagjoni-Markaj, Hamza nga Bokshiqi, Musolli nga Gurrakoci, Mirdita nga Dollci, Quni, Lleshaj nga Zllakuqani, Nikaj nga Beci, Dema dhe Nikolla-Kangji, i rezistuan regjimit serb brenda Kosovës.
Maria-Bardha Markaj Hamza, së bashku me bashkëshortin Hajdar Hamza, e fshehin Ndue Gjon Përlleshin për një kohë të gjatë në fshatin Bokshiq, duke u kujdesur për veshmbathje, ushqim, armë dhe logjistikë për ballistët dhe luftën kaçake.
Ndue Mark Markaj largohet në bjeshkët e Istogut me dajallarët nga familja Gjokë Ndrecaj dhe me disa burra nga familja Musolli e Gurrakocit.
Historia vazhdon me prijësin e luftës Ndue Gjon Përlleshin (Paskalicë, 1908 – Iballe, 29.08.1949), i cili ka qenë prijës i çetave antikomuniste në Rrafshin e Dukagjinit dhe njihej si “Trimi i Dukagjinit”. Ai luftoi heroikisht kundër forcave serbo-sllave komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 08.03.1948, gjatë Betejës së Bokshiqit, Ndue Gjon Përlleshi, së bashku me Shaban Demën, Ndrec Nikolla-Kangjin, Ndue Mark Markagjonin, Hajdar Hamzën, Vuksan Nikajn dhe luftëtarë të tjerë, luftuan kundër forcave komuniste malazeze dhe shqiptare, të cilat numëronin rreth 600 luftëtarë. Në këtë betejë u vranë 27 ushtarë komunistë dhe shumë të tjerë u plagosën. Dy bashkëluftëtarë të tij vdiqën, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.
Ndue Gjon Përlleshi, pasi i mbijetoi kësaj beteje, u kthye në fshatin e tij Jagodë, ku Janko Boriçi, udhëheqësi i komunitetit lokal, hodhi një granatë në shtëpinë e tij. Ndue Gjon Përlleshi ia kthen granatën, duke e plagosur Janko Boriçin.
Ballisti dhe patrioti Ndue Gjon Përlleshi u tradhtua dhe u vra më 28.08.1949 në Shqipëri nga forcat partizane komuniste, me urdhër të Mehmet Shehut. Ndue Gjon Përlleshi dhe bashkëluftëtarët e tij mbeten figura të nderuara në Rrafshin e Dukagjinit dhe në mbarë Kosovën.
Babai i Ndue Gjon Përlleshit nga fshati Paskalicë kishte qenë mik i afërt i familjes Markagjoni-Markaj, me prejardhje nga Mirdita e Shqipërisë.
Brigada antikomuniste balliste zhvilloi luftë kaçake kundër OZN-së serbo-malazeze.
Në këtë rezistencë morën pjesë edhe shumë figura të tjera si: Shaban Dema, Shaban Polluzha, Ndrec Nikolla-Kangji, Xhafer Deva, Hajdar Hamza, Maria-Bardha Markaj Hamza, Pashke Markaj Nikaj, Vuksan Nikaj, familja Mirdita, familja Quni, Frrok Gjon Musolli, Ndrec Gjon Musolli, familja Lleshaj, Ukë Sadiku, Mehmet Gradica, Zef Gjidoda, Gjokë Dedaj, Ymer Berisha, Zef Deda, Qazim Bajraktari, familja Palucaj, Bibë Miraka, Mark Avdyli, Nike Avdyli, Sadik Rogani dhe shumë familje tjera nga Klina, Peja, Istogu, Drenica, Llapi, Skenderaj, Deçani, Gjakova dhe Prizreni.
Ndue Gjon Përlleshit iu bashkuan rreth 500 luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare. Ata flinin në malet e Kosovës dhe thërrisnin lirinë e Kosovës.
Në vitin 1946 iu bashkua edhe grupi shkodran me Marije Shllakun, Kolë Parubin, At Bernard Llupin dhe Gjergj Martinin, të cilët lanë eshtrat në Kosovë për lirinë tonë.
Ndue Gjon Përlleshi bashkëpunonte edhe me çetat e Profesor Ymer Berishës dhe Ukë Sadikut, dhe nga këto bashkëpunime lindi nevoja për vazhdimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe formimin e Organizatës Politike “Besa Kombëtare”, e formuar në vitin 1945, ku mori pjesë edhe vetë Ndue Gjon Përlleshi.
OZN-a serbo-malazeze e ndoqi familjen Markagjoni në Lugun e Drinit në mënyrë të pamëshirshme, duke ditur lidhjet me familjet Hamza, Musolli, Nikaj, Mirdita, Lleshaj, Quni dhe shumë familje tjera patriotike.
Në betejat e përgjakshme u vranë dhjetëra çetnikë komunistë. Nga plagosjet e rënda vdiqën Zef Deda dhe profesor Ymer Berisha, i cili ndërroi jetë në krahët e Ndue Gjon Përlleshit.
Ndue Gjon Përlleshi, i ndjekur nga të gjitha anët, me ndihmën e familjeve besnike të Dukagjinit, shpëtoi dhe u strehua në shpellën e Jerebisë në Istog, ku kaloi dimrin e vitit 1946.
Në fillim të vitit 1948, forcat çetnike serbo-malazeze dhe mercenarët shqiptarë shtuan ndjekjet për kapjen e Ndue Gjon Përlleshit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Në pritë pranë fshatit Paskalicë, vritet Ndrec Nikolla-Kangji dhe plagoset rëndë Shaban Dema, ndërsa Ndue Gjon Përlleshi me bashkëluftëtarët e tij i shpëton rrethimit.
Në malet e Bokshiqit, te familja Hamza, Ndue Gjon Përlleshi qëndroi heroikisht i rrethuar nga të katër anët, duke mos rënë i gjallë në duart e armikut.
Pas dështimit për ta kapur, OZN-a dhe policia serbo-malazeze burgosën, vranë dhe keqtrajtuan shumë familje që e kishin ndihmuar.
Familja e Ndue Mark Markagjonit e pagoi rëndë këtë çmim. Fëmijët e tij, Nikolla dhe Mark Markaj, u rritën te tezja në Pejë, në familjen Gjokaj.
Ndue Mark Markaj, pas vdekjes së bashkëshortes, mbeti vetëm dhe gjeti strehim me ndihmën e Kishës Katolike. Ai ndihmoi Kishën Katolike në Zllakuqan “Shën Pagëzori”, së bashku me priftin kroat Atë Toma nga Kroacia, duke shpëtuar shumë familje shqiptare në Lugun e Drinit.
Djali i madh, Nikolla, në moshën 15-vjeçare detyrohet të largohet nga Kosova dhe të jetojë në Maqedoni.
Djali i dytë, Marku, ndjek shkollën fillore në Zllakuqan “Atë Shtjefën Gjeçovi” dhe më pas regjistron shkollën e mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti komunist konfiskoi disa hektarë tokë të familjes Markaj në Krushevë të Madhe, pasi konsideroheshin shënjestër e pushtetit komunist.
Megjithatë, shumë familje të Dukagjinit ndihmuan familjen Markaj të mbijetojë nga persekutimet e vazhdueshme.
Familja e Ndue Gjon Përlleshit u përball me represion të madh dhe shumica e tyre morën rrugën e mërgimit drejt Amerikës.
Familjet e njohura të Dukagjinit historikisht janë penalizuar nga çdo pushtet i egër në Kosovë.
Me respekt nga familja Markaj
Kosovë, Gjermani, Zvicër, Kroaci dhe Amerikë
Nipi i Ndue Mark Markaj
Damjan Markaj




