Kurti fyen ish-komandantët e UÇK-së: Nuk ka edhe patriot edhe hajn, disa pas luftës thanë ‘po pushojmë pak’
Në një tubim të mbajtur në Zvicër, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vazhduar me deklarata kundër ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga atje, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër tha se “nuk mund të jesh edhe patriot edhe hajdut”.
Kurti, mes tjerash, u shpreh se disa nga çlirimtarët vendosën që pas luftës “të pushojnë”, gjë që sipas tij nënkupton se u morën me korrupsion.
“Nuk ka edhe patriot edhe hajdut; ose patriot ose hajdut. Nuk ka edhe çlirimtar edhe zullumqar; ose çlirimtar ose zullumqar. Ne jemi bashkë me ju për patriotët çlirimtarë kundër hajdutëve zullumqarë. Patriotizmi është punë, por patriotizmi nuk ka pushim. Nuk mund të thuash ‘po pushoj pak’. Sepse në këto vitet e pasluftës kemi shembuj të dikujt i cili ka qenë patriot, s’e mohojmë, por tani tha ‘po pushoj pak’. Ju e dini çka nënkupton pushimi: nënkupton korrupsion.
Prandaj patriotizmi është punë pa pushim, punë që nuk ndalet, ashtu siç nuk ndalet frymëmarrja deri në sekondat e fundit të jetës. Dhe bile, ju e dini këtë traditë e zakonin tonë: vazhdon edhe pas vdekjes, sepse shumë njerëz lënë amanet që arkivolin t’ua mbulojnë me flamurin kombëtar”, ka thënë ai, raporton Nacionale, transmeton Periskopi.
Si zakonisht në tubimet e tij, Kurti ka kritikuar edhe opozitën. Lideri i VV-së pretendoi se opozita po synon ta vonojë formimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Inati i vitit të kaluar i opozitës ka rënë, por jo krejt, sepse duhet të bjerë pas 7 qershorit. E di që po na vonojnë, por edhe ne nuk ndalemi. Unë jam kryeministër në detyrë, e herë me detyrat e kryeministrit, kemi edhe presidenten në detyrë. Nuk kemi Kuvend, por ai do të bëhet. Punët e shtetit dhe funksionimi i Qeverisë nuk ndalen asnjëherë.
Po duan të na vonojnë se e kanë shumë hall Byronë. Atë e kanë shumë hall, por për besë nuk mund të mendosh që hektari i tokës së Kosovës, që është larë me djersë e gjak, të blihet me 50 euro e të bëhet i yti. Nuk mund të paguash një ari 3 euro e të mendosh që bëhet i yti”, u shpreh ai.



